×
  • Lajme
  • Botë

    ShBA thotë se ka “përparim të dukshëm” në kundërofensivën ukrainase

    Reporteri
    01 Shtator 2023 | 20:59

    Forcat e Ukrainës në ditët e fundit kanë bërë “përparim të dukshëm” kundër trupave ruse në jug të shtetit, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë më 1 shtator.

    Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara kanë parë përparim në afërsi të rajonit të Zaporizhjës në 72 orët e fundit.

    “Ata kanë arritur një sukses kundër vijës së dytë mbrojtëse ruse”, tha Kirby. Ai po ashtu pranoi se “zyrtarë anonimë” kanë kritikuar kundërofensivën e Ukrainës, duke thënë se kjo “nuk ndihmon”.

    “Çdo vëzhgues objektiv i kësaj kundërofensive nuk mund ta mohojë se ata tashmë kanë bërë përparim”, tha Kirby.

    Ukraina nisi kundërofensivën e saj ndaj forcave ruse në jug dhe lindje në qershor.

    Ushtria ukrainase ditëve të fundit ka pretenduar se ka pasur sukses në thyerjen e vijave mbrojtëse ruse në mes të fshatrave Robotjne dhe Verbove në rajonin e Zaporizhjës dhe analistët perëndimorë ushtarakë kanë konfirmuar këto përparime.

    Ushtria ukrainase tha më herët se kundërofensiva e saj po vazhdon në lindje dhe jug të shtetit, teksa lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës është në muajin e tetëmbëdhjetë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!