Pak pasi Presidentja Vjosa Osmani njoftoi se ka zhvilluar një takim në Neë York me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, me një njoftim për këtë takim ka dalë edhe vetë Lajçak.
Lajçak e ka cilësuar si të dobishme bisedën me Osmanin, derisa ka thënë se janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kisha një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten Vjosa Osmani situatën aktuale në dialog dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. U pajtuam të vazhdojmë diskutimin tonë”, ka shkruar Lajçak.
Had a detailed and useful conversation with President @VjosaOsmaniPRKS on the state of play in the Dialogue and the way forward in advancing the implementation of the Agreement on the path to normalisation. Agreed to continue our discussion. pic.twitter.com/3uPiSWXTim
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) September 20, 2023
Ndërkohë, Osmani ka thënë se në këtë takim ka theksuar se suksesi i dialogut është i lidhur me zbatimin e balancuar të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe heqjen e masave ndëshkuese që BE’ja ka vendosur ndaj Kosovës.
“Në New York, u takova me @MiroslavLajcak për të diskutuar zhvillimet e fundit në dialog. Theksova se suksesi i tij është i lidhur me zbatimin e balancuar dhe të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe me heqjen e masave të BE-së që po prekin qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani, derisa ka bashkangjitur edhe disa fotografi nga takimi.
Ndryshe, para disa ditëve, në konferencë për media, kryeministri Albin Kurti akuzoi emisarin Lajçak se po bashkëpunon me Serbinë, dhe se po ia plotëson të gjitha kërkesat Presidentit Vuçiq. Ai ka thënë se pasi propozoi një plan të sekuencimi të punuar nga Republika e Kosovës në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar.