×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Vdekja e dy punëtorëve nga shembja e skelës: Në pranga drejtuesit teknikë, nën hetim edhe punonjësit e Inspektoratit të Punës

    Reporteri
    18 Gusht 2019 | 9:39

    Aksidenti tragjik në punë, që u mori jetën dy punëtorëve dhe plagosi tre të tjerë të premten në Tiranë, dyshohet të ketë ndodhur nga mungesa e masave të sigurisë.


    Për këtë arsye, Policia e Tiranës arrestoi një ditë pas ngjarjes dy drejtues teknikë, atë të kompanisë që kryente termoizolimin e pallatit ku ndodhi incidenti dhe atë të shoqërisë së skelave. Nga ana tjetër, Policia ka shpallur në kërkim edhe administratorin e firmës “Skela Syla”, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”. Burimet zyrtare thanë se ka filluar procedim penal për “Shpërdorim detyre” edhe ndaj punonjësve të Inspektoratit të Punës, Tiranë, pasi sipas Policisë, ata nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti.

    Të arrestuarit janë: Xhimi Tarushi, 41 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe Ilir Bendo, 44 vjeç, me detyrë drejtues teknik i sigurisë së punimeve në firmën “Skela Syla”. Administratori i kompanisë së skelave, Petrit Syla, është shpallur në kërkim policor.

    PROCEDIMET

    Policia e Shtetit njoftoi dje se në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rrugën “Faik Konica”, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Komisariatit Nr.1 në Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetasve për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Konkretisht, u arrestuan Xhimi Tarushi, 41 vjeç, dhe Ilir Bendo, 44 vjeç.

    “U bë shpallja në kërkim e shtetasit Petrit Syla, me detyrë administrator i firmës ‘Skela Syla’, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’”, tha zyrtarisht Policia. Ndërsa sqaroi rrethanat e ngjarjes, duke argumentuar përgjegjësitë për të cilat dyshohen personat e arrestuar.

    “Në rrugën ‘Faik Konica’, në pallatin nr.2, firma ‘Xhimi’, me administrator e drejtues teknik punimesh shtetasin Xhimi Tarushi, ka kryer punime në fasadën e jashtme të pallatit për veshjen me sistemin termoizolues (kapot). Po në këtë pallat, firma ‘Skela Syla’, me administrator shtetasin Petrit Syla dhe drejtues teknik të punimeve e montimit të skelës inxhinierin Ilir Bendo, ka montuar skelën metalike për punimet në fasadë“, tha Policia.

    Si pasojë e punimeve në këtë pallat, të premten rreth orës 15:00 është rrëzuar skela metalike dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit Ergys Brahimaj, 31 vjeç, punëtor ndërtimi në firmën “Xhimi”, si dhe shtetasi Orjan Kodra, 36 vjeç, punëtor i firmës “Skela Syla”. “Gjithashtu, për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, për punonjësit e Inspektoratit të Punës Tiranë, pasi punonjësit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës“, tha Policia e Shtetit.

    NGJARJA

    Pesë punëtorët që ranë të premten nga lartësia në Tiranë kanë qenë duke bërë çmontimin e skelës nga njëra anë e pallatit 13-katësh, të cilën më pas do ta montonin në anën tjetër, ku do të riparohej fasada. Skela është shembur duke rënë bashkë me punëtorët që ndodheshin sipër, të cilët kanë mbetur poshtë gërmadhave, duke gjetur vdekjen. Ndërsa tre punëtorë të tjerë janë plagosur, duke marrë plagë të rënda në të gjithë trupin. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:00, në rrugën “Faik Konica”, që ndodhet pranë Rrugës së Elbasanit, në Tiranë.

    Në pallatin 13-katësh po kryhej termoizolimi në fasadën e tij dhe në momentin e punës është shkëputur skela në dy prej kateve të godinës. Për pasojë kanë humbur jetën dy punonjësit: Orjan Kodra, 36 vjeç, dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç. Ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës. Burime nga Policia thanë se ata kanë marrë plagë të rënda në kokë dhe trup dhe ndodhen nën kontrollin e specializuar të mjekëve. Njëri prej tyre i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vështirë kirurgjikale.

    Të njëjtat burime thanë se shkak i këtij aksidenti të rëndë në punë dyshohet të ketë qenë mungesa masave mbrojtëse për sigurinë. Menjëherë pas ngjarjes, Policia ka shoqëruar administratorin e shoqërisë së termoizolimit, si dhe ka marrë në pyetje inxhinierin e skelave, i cili është edhe drejtuesi teknik për sigurinë. Këta persona janë marrë në pyetje gjatë natës dhe më pas me urdhër të prokurorit është vendosur që të arrestohen.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!