Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se këtë të premte ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken rreth situatës në Kosovë për çfarë ka thënë se pati gjëra që u pajtuan por edhe jo.
“Nuk është një bisedë e lehtë me Blinkenin, për disa gjëra ramë dakord, disa jo. Nevojitet shtensionim, një rol më i madh i KFOR-it. Serbia gjithmonë do ta mbështesë atë rol, ne do të donim që të ishte ekskluziv, sidomos në veri. Mohova të pavërteta që thonë se kemi shkallën më të lartë të gatishmërisë të ushtrisë sonë. Unë nuk kam nënshkruar dhe nuk jemi pajtuar për natyrën e asaj që ka ndodhur, veçanërisht lidhur me sovranitetin e Kosovës”, ka thënë presidenti i Serbisë.
Vuçiqi ka thënë se sekretari amerikan ka folur edhe për masat e mundshme “nëse nuk sillemi siç duhet”.
“I thash ti je fuqia. Unë jam kundër kësaj. Duhet t’i përmbahemi të vërtetës”, ka thënë ai.
Edhe Kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se po monitorojnë nga afër nëse Serbia po i përmbush kërkesat e BE-së për shtensionim në veri të Kosovës dhe nëse gjykojnë se Beogradi nuk i respekton ato, sipas tij, BE-ja është e gatshme të shqyrtojë masa ndëshkuese ndaj autoriteteve të Serbisë.
Borrell: Nëse Serbia s’përmbush kërkesat e BE-së, do t’i shqyrtojmë masat ndëshkuese ndaj saj