×
  • Lajme
  • Botë / Bratislavë

    “Aleati i ngushtë” pro-rus i Lajçakut fiton zgjedhjet në Sllovaki, emisari i BE’së emër i mundshëm që t’i bashkohet kabinetit të ri qeveritar

    Reporteri
    02 Tetor 2023 | 12:56

    Një parti e udhëhequr nga një figurë pro-Kremlinit fitoi të dielën zgjedhjet në Sllovaki, tregojnë rezultatet preliminare të votimev.

    Sipas rezultateve paraprake të lëshuara nga Zyra e Statistikave të Sllovakisë në orën 9 të mëngjesit me orën lokale, partia populiste SMER e politikanit Robert Fico fitoi 22.9% të votave.

    Fico është aleat i ngushtë i Mirosllav Lajçakut, emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

    Derisa Fico pritet të emërohet kryeministri i ri i Sllovakisë, ka gjasa që një rol në qeverinë e re t’i ofrohet edhe Lajçakut, raporton The Economist.

    The Economist raporton se Fico mund ta emërojë Lajçakun në detyrën e tij të vjetër si Ministër i Jashtëm i Sllovakisë. Rrjedhimisht, kjo do të nënkuptonte se mund ta largojë atë nga funksioni i emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

    Pas takimit të fundit në dialog më 14 shtator, kryeministri Albin Kurti akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

    Kurti tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Lajçak, ka shërbyer si kryediplomat i Sllovakisë në vitet 2009-2010 dhe për tetë vite me radhë nga 2012 deri më 2020.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!