×
  • Lajme
  • Botë / Raportohet për 40 të vdekur

    “Dënojmë aktet e dhunës, Kosova qëndron me popullin izraelit”, reagimet e Osmanit, Kurtit e MPJ-së pas sulmeve terroriste ndaj Izraelit

    Reporteri
    07 Tetor 2023 | 15:02

    Ka shkuar në 40 numri i të vdekurve në Izrael pas sulmit masiv të grupit terrorist të Hamasit të shtunën, raporton Channel 12.

    Numri i të lënduarve ka shkuar mbi 700.

    Këtë mëngjes mijëra raketa u hodhën nga Rripi i Gazës drejt Izraelit.

    Grupi terrorist i Hamasit mori përgjegjësinë për sulmin.

    Ndërkohë, Izraeli ka nisur një kundërsulm ndaj caqeve të militantëve palestinezë.

    Për sulmin terrorist ndaj Izraelit ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani , kryeministri Albin Kurti dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Osmani ka thënë se Kosova është e tmerruar nga një sulm i tillë dhe vrasja e civilëve të pafajshëm.

    “Të tmerruar nga sulmet terroriste dhe vrasjet e civilëve të pafajshëm në Izrael. Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Presidentin Isaac Herzog, popullin dhe shtetin e Izraelit në këto orë të errëta. Mendimet tona janë me familjet e viktimave”, ka shkruar Osmani.

    Kurse kryeministri Albin Kurti tha se Kosova qëndron me Izraelin pas sulmeve terroriste që ndodhën atje.

    “Republika e Kosovës dënon pa mëdyshje sulmet e sotme terroriste kundër shtetit të Izraelit. Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”, ka deklaruar Kurti.

    Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka dënuar sulmin terrorist kundër Izraelit.

    MPJ në një reagim në platformën “X” kanë shkruar se Kosova qëndron në solidaritet të plot me Izraelin në këto momente të tmerrshme.

    Kurse, Ambasada e Kosovës në Jerusalem i ka udhëzuar të gjithë shtetasit e saj që gjenden në shtetin izraelit që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale atje ose të kontaktojnë ambasadën.

    Këtë njoftim ambasada e ka bërë përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ku tutje shkruan se shtetasit e Kosovës për çdo rast mund të kontaktojnë me Ambasadën e Kosovës në Izrael në numrin: +9720586340450.

     

    Skena tmerri në Izrael pas sulmit terrorist nga Hamasi

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!