Një pilot është ngarkuar me 83 akuza për tentativë vrasjeje, pasi dyshohet se u përpoq të rrëzonte një avion me pasagjerë gjatë një fluturimi të dielën mbrëma, raporton BBC, transmeton Reporteri.net.
Sipas një deklarate të linjës ajrore Alaska Airlines, ku ndodhi incidenti, i dyshuari ishte ulur në kabinën e një fluturimi pas kapitenit dhe oficerit të parë.
Policia dyshon në 44-vjeçarin, Joseph David Emerson.
Avioni po lëvizte nga Uashingtoni në Kaliforni, me 80 pasagjerë në bord.
Anëtarët e ekuipazhit në fluturimin 2059 të Alaska Airlines raportuan incidentin në kontrollin e trafikut ajror.
Në një regjistrim të komunikimit të kontrollit të trafikut ajror, një nga pilotët dëgjohet duke thënë se e kanë kapur një burrë “që deshi t’i ndalonte motorrët nga kabina”.
“Kemi kapur burrin që u përpoq të ndalonte motorët nga kabina, dhe tani duket i qetë”
“Unë mendoj se ai është i nënshtruar,” thotë piloti teksa ka kërkuar ndihmën e policisë “sapo të aterojmë”.
Fluturimi, i operuar nga Horizon Air, ishte planifikuar të nisej në orën 17:25 me kohën lokale dhe të mbërrinte në San Francisko në orën 19:30.
Megjithatë, fluturimi u devijua për në Portland dhe përfundimisht u nis në orën 19:18, dhe të gjithë pasagjerët u akomoduan.
“Të gjithë pasagjerët në bord ishin në gjendje të udhëtonin në fluturimin e mëvonshëm,” deklaroi Alaska Airlines.
“Ne jemi mirënjohës për trajtimin profesional të situatës nga ekuipazhi i fluturimit Horizon dhe vlerësojmë qetësinë dhe durimin e mysafirëve tanë gjatë gjithë këtij eventi”, shtoi linja ajrore në deklaratën e saj. /Reporteri.net/.