×
  • Lajme
  • Botë

    Franca planifikon konferencë donatorësh për Gazën

    Reporteri
    04 Nëntor 2023 | 9:33

    Presidenti francez, Emmanuel Macron do të organizojë një “konferencë donatorësh” për Gazën. Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken konsultohet me vendet arabe për ndalimin e luftimeve.

    Para gjendjes së rënduar të popullsisë civile në Rripin e Gazës, presidenti francez, Emmanuel Macron ka bërë të ditur organizimin e një “konference humanitare” në Paris për Rripin e Gazës më 9 nëntor. Macron tha se “lufta kundër terrorizmit nuk duhet të justifikojë sakrifikimin e civilëve”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme në Paris në konferencën e donatorëve janë ftuar përfaqësues nga vendet e BE, ai i Gjirit si edhe vende grupi i G20-s, Ligës Arabe dhe organizata të ndryshme humanitare.

    Konkretisht bëhet fjalë për furnizimin e zonave palestineze me ushqim, medikamente dhe energji. Edhe evakuimi i të plagosurve përmes rrugës detare do të jetë pjesë e konferencës. Izraeli është informuar për këtë konferencë, por nuk do të marrë pjesë vetë. Franca do të njoftojë Izraelin për rezultatet e saj. Bazë për organizimin e ndihmave janë vlerësimet e Kombeve të Bashkuara, thuhet në Paris. Duhet të sigurohet, që ndihmat humanitare të mos bien në duart e Hamasit.

    Pas sulmit brutal terrorist të Hamasit kundër Izraelit, ky i fundit i shpalli luftë Hamasit dhe ndërpreu furnizimin e më shumë se dy milionë palestinezëve në Rripin e Gazës me popullim të dendur. Hamasi kategorizohet si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e disa vende arabe.

    Blinken konsultohet me vendet arabe për ndalimin e luftimeve

    Jordania pret sipas të dhënave të veta këtë të shtunë, Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe ministrat e Jashtëm të Arabisë Saudite, Katarit, Emirateve të Bashkuara, Egjiptit si edhe përfaqësues të palestinezëve. Sipas të dhënave konsultimet fokusohen të kërkesa e vendeve arabe për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve në Rripin e Gazës dhe furnizimin e popullsisë me ndihma humanitare, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Jordanisë. Po ashtu do të diskutohen edhe mundësitë për shtensionimin e situatës për të mos rrezikuar sigurinë e rajonit./dw

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!