×
  • Lajme
  • Botë

    Lufta në Gaza, Papa: Në emër të Zotit, ju lutem ndaloni

    Reporteri
    05 Nëntor 2023 | 16:06

    Papa Françesku apeloi sot për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza dhe bëri thirrje për dërgimin e ndihmave humanitare dhe ndihmës për të plagosurit për të lehtësuar situatën “shumë të vështirë”.

    “Unë vazhdoj të mendoj për situatën e vështirë në Palestinë dhe Izrael, ku shumë njerëz kanë humbur jetën. Për hir të Zotit, ju lutem ndaloni. Pushoni zjarrin,” tha ai, duke iu drejtuar turmës në Sheshin e “Shën Pjetrit”.

    “Shpresoj se do të bëhet gjithçka për të parandaluar përhapjen e konfliktit, që të plagosurit të shpëtohen dhe ndihma të arrijë tek banorët e Gazës, sepse situata humanitare atje është shumë e vështirë”, tha Ati i Shenjtë.

    Ai përsëri bëri thirrje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit, me fokus fëmijët. Ai tha se ata “duhet të kthehen në familjet e tyre”.

    “Le të mendojmë për fëmijët, për të gjithë fëmijët që janë përfshirë në këtë luftë, si dhe ata në Ukrainë dhe në konflikte të tjera, sepse kështu po vritet e ardhmja e tyre”, shtoi ai.

    Françesku, 86-vjeç, ka bërë thirrje më parë për krijimin e korridoreve humanitare, duke thënë se për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit, është e nevojshme të zbatohet një zgjidhje që përfshin dy shtete, për izraelitët dhe për palestinezët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!