×
  • Sport
  • Sport / ‘Kosova shtet i xhudos’

    Certifikohet grupi i parë i pjesëtarëve të FSK-së në xhudo

    Reporteri
    07 Nëntor 2023 | 18:14

    Është certifikuar grupi i parë i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në sportin e xhudos. Ceremonia e certifikimit të ushtarëve të FSK-së është bërë të martën në Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë.

    Pjesëmarrës në këtë ceremoni ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Kryeministri Kurti ka thënë se po punojnë që të sigurojnë ndërlidhjen e sportit të xhudos me edukim dhe me shëndetin e të rinjve. Ai tha se qysh tash po vërehen edhe frytet e para të ndërveprimit me sigurinë dhe mbrojtjen.

    “Sirtarit tuaj të gjerë të medaljeve, vikendin e kaluar ju shtuan edhe katër medalje të reja evropiane. Është kënaqësi kur e shohim këtë kombinim të uniformës me kimonet e xhudos, që të dyja shkojnë shumë bukur me njëra-tjetrën. E përmes programit ‘Kosova shtet i xhudos’ përveç që po sigurojnë ndërlidhjen e sportit të xhudos me edukim dhe me shëndetin e të rinjve tanë, tashmë po shohim edhe frytet e para të ndërveprimit me sigurinë dhe mbrojtjen”, ka thënë Kurti.

    Fjalim gjatë ceremonisë mbajti edhe trajneri i xhudos, Driton Kuka. Ai ka udhëhequr shkollimin për xhudo të pjesëtarëve të FSK-së.

    Kryemjeshtri Kuka tha se xhudoja është më shumë se sport. Pjesëtarët e FSK-së i quajti trima që po e mbrojnë vendin.

    “Në fakt desha që në mënyrë të veçantë ta falënderoj ministrin Çeku për jetësimin e këtij projekti. Xhudo nuk është vetëm sport, por edhe forcim i ushtrive nëpër botë edhe ushtrisë tonë. Më ka bërë që të mos përtoj të punoj me ushtarët tanë që me trimëri po e mbrojnë vendin tonë”, ka theksuar Driton Kuka.

    Në ceremoninë e certifikimit të pranishëm ishin edhe disa ministria e po ashtu drejtues të xhudos kosovare dhe xhudistë.

    Trajtimi i pjesëtarëve të FSK-së në xhudo është pjesë e projektit “Kosova shtet i xhudos”. Xhudoja si disiplinë është shumë e përfshirë në forcat ushtarake.

    Në këtë sport Kosova ka suksese kulmore. Javën e kaluar xhudistët kosovarë i fituan katër medalje në Kampionat Evropian.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!