Rusia e ka sulmuar me raketa kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, si dhe rajonet e afërta të tij për herë të parë pas një pauze pothuajse dymujore të shtunën, thanë zyrtarët ukrainas.
Po ashtu, forcat ruse i vazhduan sulmet me dronë në lindje dhe jug të Ukrainës.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të qytetit Kiev, tha se Rusia e sulmoi kryeqytetin me një raketë balistike rreth orës 8:00 mëngjesin e së shtunës.
“Pas një pauze të gjatë prej 52 ditëve, armiku i ka rinisur sulmet raketore në Kiev”, tha Popjo në Telegram të shtunën.
Ukraina thotë se ushtria ruse po tenton ta rrethojë një qytet kyç në Donjeck
“Raketa dështoi të arrijë në Kiev, mbrojtja ajrore e rrëzoi atë sapo iu afrua kryeqytetit”, shtoi ai.
Popko tha se sulmi nuk shkaktoi viktima apo dëme të mëdha në kryeqytet.
Ruslan Kravchenko, guvernatori rajonal i rajonin qendror të Kievit, tha se pesë shtëpi private dhe disa ndërtesa komerciale në atë zonë u dëmtuan. Ai tha se dy raketa ruse ranë në një fushë mes vendbanimeve.
Mbrojtja ajrore e Ukrainës i rrëzoi edhe 19 dronë iranianë, Shahed, nga 31 sosh që forcat ruse i përdorën për t’i sulmuar rajonet jugore dhe lindore gjatë natës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës.
Oleh Kiper, guvernatori rajonal i Odesas, tha se rajoni jugor u sulmua me raketa dhe dronë të premten në mbrëmje dhe pasmesnatës. Tre persona u plagosën dhe objektet infrastrukturore te portit u dëmtuan si pasojë, shtoi ai pa dhënë ndonjë hollësi shtesë.
Rusia i ka rritur bombardimet në portet e Ukrainës, përfshirë në Odesa, dhe në infrastrukturën e drithërave prej se Moska u tërhoq nga marrëveshja e Detit të Zi për drithërat, e cila ishte arritur gjatë luftës për të mundësuar eksportimin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi./REL/