Kuvendi i ka hequr sot imunitetin deputetit Sali Berisha, për të cilin SPAK ka kërkuar një masë më të fortë, atë të arrestit me burg apo arrest shtëpie.
Me 75 vota pro Kuvendi ka miratuar në një situatë të pazakontë, teksa opozita proteston në sallë por dhe jashtë Kuvendit, raportojnë mediat shqiptare.
Zyrtarisht seanca plenare zgjati vetëm 6 minuta, ndërkohë që mazhoranca votoi njëzëri kërkesën e SPAK, që kërkonte heqjen e imunitetit për Berishën, i cili akuzohet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ish-kryeministri refuzoi të merrte fjalën gjatë nisjes së seancës plenare, ku iu kërkua të fliste mbi kërkesën e SPAK. Berisha kërkoi nga kryetarja e Kuvendit që të hiqej Garda e Republikës nga foltorja në mënyrë që ai të merrte fjalën.
Me vendimin e parlamentit tani i hapet rruga gjykatës për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj ish-kryeministrit.
Pas këtij, vendimi Berisha ka folur nga ambientet jashtë sallës së Parlamentit.
Votimin në Kuvend, ai e cilësoi si antikushtetues dhe premtoi një qëndresë historike përballë atij që ai e konsideron një plan të mazhorancës së majtë për të shuar Partinë Demokratike dhe opozitën në vend.
“Sot narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik votoi në kundërshtim me çdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me çdo procedurë ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Parlamenti sot vazhdoi veprën që tentoi më datën 9 shtator dy vite më parë. Nëse dështoi më 9 shtator ju garantoj se sot do të jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë dhe nën moton ‘O sot o kurrë’ do t’i japë përgjigjen më të merituar kësaj qeverie. Sot Parlamenti përfundoi në Parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot në parlament jo nga duart zyrtare por nga tunelet që lidhin Parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja e nisur vijon fuqishëm si kurrë më parë dhe ju garantoj se kjo opozitë do të qëndroj e pamposhtur në ruajtjen e idealeve demokratike të saj”, tha Berisha.