KESCO ka reaguar pas ankesave të shumta të qytetarëve lidhur me ngritjen e çmimit të rrymës. Sipas tyre një gjë e tillë nuk rezulton, por rritja e vlerave të faturave këtë mund është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, shkruan Reporteri.net.
Në komunikatën e lëshuar nga KESCO thuhet se “efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike”.
“KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023.
Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kWh në muaj faturohet me tarifë më të lartë, ashtu siç paraqiten në çdo faturë te konsumatorëve. Shih Vendimin e ZRrE-së.
Efekti tjetër i rritjes së vlerës së faturës është që vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, Qeveria e Kosovës ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer energji elektrike.
Disa konsumatorë po marrin fatura më të larta sepse po përdorin masivisht energjinë elektrike për ngrohje“.
“ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kWh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kWh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kWh.
Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kWh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kWh, atëherë pjesa deri në 800 kWh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kWh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kWh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kWh“, thuhet në komunikatën e KESCO.
Por, nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), ka thënë se deri me tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë zyrtare nga konsumatorët në lidhje me faturat e muajit dhjetor 2023. ZRrE deklaron se nuk ka as ngritje të çmimit të energjisë.
ZRrE ka thënë se tarifat e energjisë janë duke u aplikuar sipas vendimit të datës 30 mars 2023.
“Çmimet e energjisë elektrike janë duke u aplikuar në te gjitha faturat e energjisë elektrike për energjinë e konsumuar sipas çmimeve te vendosura me datë 30 mars 2023 përmes vendimit V_1713_2023 nga Zyra e Rregullatorit për Energji, rrjedhimisht nuk ka ngritje të çmimit”.
Reagime për këtë çështje sot pati edhe nga përfaqësues të partive politike opozitare në vend.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se faturat e larta të energjisë elektrike janë goditja e radhës për familjet kosovare.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se “në vitin e tretë të Qeverisë Kurti, qytetarët po ndjejnë në xhep efektet “e fuqishme” të kësaj qeverie”.
“Në këtë kohë inflacioni e varfërie, duhet të mendojmë për policët, mësuesit, të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe posaçërisht për ata të sektorit privat, të cilët, edhe pa këto fatura, me shumë vështirësi e mbyllnin muajin. Kosova meriton më mirë”, ka shkruar ai.
Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se qytetarët e Kosovës janë duke paguar fatura të energjisë të barabarta me ato që i paguajnë shtetasit e Belgjikës e Luksemburgut.
Ai tha se kjo është një situatë alarmante, teksa shtoi se faturat mesatare të familjeve me pak anëtar di të jenë 250 deri në 300 euro.
“Në vendin me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në rajon dhe Evropë, qytetarët e Republikës së Kosovës paguajnë fatura ekuivalente me shpenzimet që paguajnë qytetarët e vendeve më të pasura si Belgjika e Luksemburgu. Po shkojmë drejt një situate alarmante ku faturat mesatare të familjeve me pak anëtarë, të jenë mes 250 – 350 euro. Kjo është qeverisje e të paaftëve dhe mashtruesve. Ky kryeministër është babadimri i llojit të vet, i cili shpërndanë me një dorë, e grabitë me të dy duart.
“Hajde tash kallxona se si KEDS-i përcakton çmimet, dhe se si ju nuk keni asgjë në dorë. Turp!”, shkroi ai.
Ndërkaq, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se faturat e energjisë elektrike janë rritur për 70 deri në 80%.
“Te obsesionuarit me manipulim te sondazheve, i inteesojne vetem shifrat fiktive te perkrahjes, por nuk i intereson rritja reale e kostos se jetesës, për qytetarët e vendit”, shkroi ndër të tjera ai.
Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.
“Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregullt me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar”, thuhet ndër të tjera në reagim.