Kryetari i enklavës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë e ashtuquajtur “Republika Serbe”, Millorad Dodik ka emëruar ish-ministrin e Qeverisë së Serbisë dhe shefin e shërbimit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vullin, anëtar të Senatit të këtij entiteti, raporton N1.
Në vendim thuhet se “në bazë të Kushtetutës së Republikës Serbe dhe Ligjit për Senatin, nga 1 dhjetori Vullin emërohet senator i Republikës Serbe”.
Ky vendim do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës Serbe.
Ish-Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, në korrik të këtij viti është futur në listën e sanksioneve amerikane.
Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja në Departamentin amerikan të Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. “Këto marrëveshje korruptive lehtësuan aktivitetin malinj rus në Serbi dhe rajon”, thuhej në njoftim.
Edhe vetë Dodik, i njohur edhe si lider pro-rus, është sanksionuar nga SHBA-ja më 5 janar të vitit 2022.
SHBA-ja e ka akuzuar atë se drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthortë ka shkelur, penguar apo kërcënuar që Marrëveshja e Dejtonit të mos zbatohej, por edhe nën akuza se është përfshirë në aktivitete korruptive.
Përndryshe, Senati i Republikës Serbe është, siç pretendohet në ueb sajtin e tyre, organi këshillues i institucioneve më të larta kushtetuese të Republikës Serbe.
Senati ka deri në 55 anëtarë të emëruar nga kryetari i Republikës Serbe. Anëtarë të Senatit emërohen “figura të shquara” të jetës publike, shkencore dhe kulturore. Senatori emërohet për shtatë vjet, me mundësi emërimi edhe për një mandat.
Kur bëhet fjalë për kompetencat, shkruhet se Senati i Republikës Serbe i konsideron çështjet e një rëndësie të veçantë për zhvillimin politik, kombëtar, ekonomik dhe kulturor të Republikës Serbe dhe për këto çështje jep mendimin institucioneve më të larta kushtetuese, siç janë:
Pozicioni kushtetues dhe ligjor i Republikës Serbe dhe çështjet e politikës së jashtme në përputhje me sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës;
Vendosja për ndryshim në Kushtetutën e Republikës Serbe dhe hartimi i ligjeve sistematike;
Çështjet e punës së institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës në lidhje me çështjet e statusit të Republikës, si dhe çështjet e marrëdhënieve ndërmjet subjekteve në Bosnje dhe Hercegovinë;
Zhvillimi dhe çështjet ekonomike të Republikës Serbe; çështjet e refugjatëve, personave të zhvendosur dhe të kthyerve; çështjet që lidhen me të drejtat e Republikës Serbe për marrëdhënie të veçanta dhe paralele me vendet fqinje, si dhe çështjet e zhvillimit të marrëdhënieve me emigracionin në mbarë botën.