Policia e Shtetit, në një njoftim zyrtar, reagoi për ekstradimin e vrasësit të Ardian Nikulajt, Ruben Saraiva nga Maroku, aty ku ka qëndruar që prej majit i burgosur.
Sipas policisë, 28-vjeçari u kap në Marok, falë informacionit të siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit, shkëmbimit të tij në kohë reale dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese, brenda dhe jashtë vendit.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Interpol Tiranës bënë të mundur ekstradimin në vendin tonë, të shtetasit R. S., 28 vjeç, lindur në Portugali.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Shtetasi R. S. dyshohet se më datë 19.04.2023, në ambientet e lokalit, ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. N..
Falë bashkëpunimit mes Interpol Marokut dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur ekstradimi i këtij shtetasi, në vendin tonë.
Më herët, si rezultat i reagimit në kohë, punës profesionale hetimore dhe gjurmuese, sigurimit të inteligjencës policore, shkëmbimit në kohë të informacionit me homologët, si dhe falë bashkëpunimit të suksesshëm me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, u bë e mundur kapja dhe arrestimi dhe i shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.