Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku në “DPT Te Fidani” ka thënë se shumica e ankesave më Agjenci kanë të bëjnë për marketing të drejtpërdrejtë , çështja e kamerave, keqpërdorimi i të dhënave nga kompani të ndryshme, por edhe nga institucionet shtetërore të cilat bëjnë publikimin e listave të qytetarëve.
“Nëse e masim me numrin e ankesave mund të themi se ka një ndërgjegjësim, sepse ka qenë në pikën zero e sot është në pikën 1. Por assesi nuk mund të themi se qytetarët janë të ndërgjegjësuar dhe i dijnë të drejtat e veta. Është e drejtë kushtetuese, por qytetarët duhet ta dinë se nëse ne nuk i mbrojmë të dhënat personale, i thërras që t’i drejtohen agjencisë edhe kur dyshojnë se po ju shkelen këto të dhëna. Janë dy ose tri vende ku jepet letërnjoftimi, jo edhe në spitale kur shkojnë, edhe ata ia kërkojnë letërnjoftimin. Letërnjoftimi në institucione shëndetësore jepet vetëm për tu dhënë emri dhe mbiemri i saktë por jo edhe për t’u bërë kopje”, tha ajo.
Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e ofrojnë letërnjoftimin vend e pa vend kur shkojnë të kryejnë shërbime.
Sogojeva-Dërmaku tha se edhe institucionet shpesh bëjnë shkelje pa e ditur se janë duke e bërë atë shkelje.
“Andaj agjencia në vazhdimësi këto dy vitet e fundit ka thirrur konferenca, ka shpërndarë udhërrëfyes se si duhet të ruhen dhe të mbrohen të dhënat personale.”, shtoi ajo.
Po ashtu komisionerja tregoi se të dhënat personale në Kosovë janë shitur.
“Është dukuri e keqe që ka ndodhur, nuk mund të them se është zhdukur. Shiten për çështje të marketingut.”, u shpreh ajo.
Sogojeva -Dërmaku tha se e dhënë personale konsiderohet, duke filluar prej emrit, mbiemrit, datës së lindjes, numrit të letërnjoftimit e kështu me radhë. Këto janë të dhëna direkte. Identifikimi I personit mund të bëhet edhe përmes të dhënave të tërthorta që mund të jetë vendbanimi, profesioni, vendi ku punon. Në këtë epokë digjitale e dhëna personale është monedhë dhe që kompanitë më të mëdha në botë nuk bëjnë asgjë tjetër veçse mbledhin të dhëna personale dhe me grumbullimin, shpërndarjen, procesimin, thjeshtë arrijnë edhe të bëjnë biznes” , tha ajo në DPT Te Fidani.