×
  • Lajme
  • Lajme / Njohja e pasaportës së Kosovës

    Vendimi i Spanjës, Kurti: Pasaportës sonë sa vjen e po i shtohet vlera

    Reporteri
    06 Janar 2024 | 21:00

    Kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur vendimin që Spanja të njohë pasaportat e Kosovës.

    Ai përmes një postimi në “Instagram” ka thënë se vlera po i rritet pasaportës së Kosovës dhe shtetit.

    “Viti 2024 është vit i fuqizimit të pasaportës së Republikës sonë. Asaj sa vjen e po i shtohet vlera, e shtetit tonë dinjiteti. Nga janari, Spanja i është bashkuar shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës. Gëzuar!”, tha Kurti.

    Megjithatë në dokumentin e Bashkimit Evropian ku konfirmohet se Spanja njeh pasaportat e Kosovës, thuhet se kjo nuk nënkupton që do të ketë njohje të pavarësisë.

    Për njohjen e pasaportave nga Spanja ka njoftuar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se qytetarët e Kosovës tani mund të udhëtojnë lirshëm në Spanjë.

    “Qytetarët e Kosova mund të udhëtojnë në Spanjë tani. Bazuar në njoftimet e shteteve anëtare të BE-së deri më 5 janar 2024, Mbretëria e Spanjës njeh pasaportat e zakonshme të Republikës së Kosovës që nga 1 janari 2024”, ka njoftuar Gërvalla përmes platformës “X”.

    E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se tashmë qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë.

    Ai iu referua Drejtorisë së Përgjithshme për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme të Bashkimi Europian (DG Home) se ka njoftuar për këtë.

    “Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti. Ndërsa me 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Shengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë. Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

    Spanja ka qenë vendi i vetëm i Schengen zonës që ka refuzuar t’i lejojë qytetarët e Kosovës të futen në territorin e saj për shkak të mosnjohjes së pasaportës.

    Dokumenti i BE-së për njohjen e pasaportave nga Spanja: S’do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!