Bashkimi Evropian u deklarua se ka shpresë që këtë vit Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritur deri tani në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku, duke ngulur këmbë se ato janë të detyrueshme dhe se duhet të zbatohen në tërësi nga të dyja palët.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, gjatë ditës së djeshme referuar vendimit të fundit për targat të të dyja shteteve, tha se kjo është dëshmi që përparimi është i mundshëm.
Stano u shpreh para gazetarëve se BE-ja dhe vendet anëtare të saj presin që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë përpara pasi nuk kanë kohë për të humbur.
“Punë rreth dialogut po vazhdon dhe fokusi i kësaj pune është në zbatimin e asaj që është pajtuar në pranverën e vitit të kaluar në Bruksel dhe në Ohër. Kjo është shumë e rëndësishme. Kemi parë se përparimi është i mundshëm, meqë ditë më parë edhe Kosova edhe Serbia janë pajtuar rreth çështjes së targave për heqjen e regjimit të stikersave. Kjo është një dëshmi konkrete se përparimi është i mundshëm kur ka një vullnet të mirë. Ne shpresojmë se kjo do të vazhdojë edhe pasi të jetë krijuar Qeveria e re e Serbisë. Ne do të vazhdojmë të angazhojmë dhe të punojmë me partnerët që t’iu ndihmojmë atyre sepse kjo është detyrë për ta dhe jo për ne për të zbatuar çdo gjë që është pajtuar. Pra ishin marrëveshje obliguese. Prandaj BE-ja dhe vendet anëtare të saj, presin që të dyja palët të procedojnë sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk ka kohë për të humbur”, ka thënë Stano.
Për këtë çështje, të dielën foli edhe shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Borrell ka shtuar se ky është një hap pozitiv për zbatimin e marrëeshjes për normalizim dhe të angazhimeve të kaluara.
“BE-ja mirëpret vendimet e Kosovës dhe Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve të njëra-tjetrës dhe për të shfuqizuar plotësisht regjimin e stikersave. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes”.
“Ky vendim tregon se është i mundur arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe thekson rëndësinë e vazhdimit të punës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky vendim përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit”, ka thënë Borrell.
Borrell: Vendimi i Kosovës dhe Serbisë për targat është hap pozitiv, në fund përfitojnë qytetarët
Qeveria e Kosovës njoftoi javën e kaluar se ka vendosur ta shfuqizojë vendimin për vendosjen e letrës ngjitëse në automjetet me targa serbe.
Vendimi i Qeverisë kosovare vjen pasi Serbia vendosi t’i lejoi automjetet me targa RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave.
Qeveria tha se heqja e regjimit të letrës ngjitëse nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.
Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.
Në pyetjen se çfarë mjetesh ka BE-ja për ta bindur Serbisë që të zbatojë marrëveshjen, pasi ajo është shprehur se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të saj, Stano tha të hënën se Serbia ka zgjedhur si orientim integrimin në BE dhe në rast të dështimit në zbatimin e detyrimeve, do t’i rrezikohej ky proces.
“E dimë se ka edhe çështje tjera që Serbia duhet t’i përmbushë në procesin e integrimeve e jo vetëm Kosovën. Por, një më shumë do ta bëjë rrugëtimin edhe më të vështirë”, tha ai.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano folu edhe për masat e BE-së ndaj Kosovës që vazhdojnë të jenë në fuqi.
Ai tha se kur të ketë hapa të mjaftueshëm pozitiv atëherë do të hiqen edhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, derisa shtoi se çdo ditë po përcjellin situatën nga afër
Stano theksoi se po punohet me partnerët për ndihmuar në marrjen e hapave të nevojshëm për deeskalim.
“Sa i përket masave, natyrisht se ne po e përcjellim situatën çdo ditë nga afër. Ne kemi njerëz në terren dhe i kemi dedikuar përpjekjet dhe vëmendjen tonë për të parë se çfarë po ndodh. Ne gjithashtu po punojmë me partnerët për t’i ndihmuar për të ndërmarrë hapa të nevojshëm për të deeskaluar dhe për t’u përballur me problemet që kanë kontribuuar në krizat e fundit dhe kur hapa të mjaftueshëm poizitiv të jenë ndërmarr atëherë BE-ja do të rivlerësojë masat e marra ndaj Kosovës dhe heqjen e mundshme të tyre”, tha Stano. /Reporteri.net/