×
  • Lajme
  • Lajme / Pas vizitës në Kosovë

    Cameron para deputetëve britanikë: Nëse sulmuesit në Banjskë s’do të ndaleshin nga Policia e Kosovës, ata do t’i sulmonin edhe stacionet policore

    Reporteri
    09 Janar 2024 | 19:00

    Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, ka raportuar përpara deputetëve të Parlamentit Britanik për vizitën e tij në Kosovë. Ai është pyetur nga deputetja Alicia Kearns për situatën në Veri dhe për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

    Cameron ka thënë se sulmi në Banjskë ka mundur të jetë një ngjarje tepër e rrezikshme. Ai ka thënë se nëse shikohet tek sasia e armëve dhe numri i njerëzve që ishin të përfshirë, nëse s’do të ndaleshin nga Policia e Kosovës, Cameron thotë se do të kishte një varg sulmesh ndaj stacioneve policore dhe do të vendoheshin barrikada nëpër rrugë.

    Cameron në raportimin e tij ka thënë se grupi i Banjskës nuk kishin thjeshtë armë, por kanë qenë ta pajisur me mjete shumë të rënda.

    Osmani me Cameron flet për sulmin terrorist në Banjskë: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, hap i domosdoshëm për paqen dhe sigurinë në rajon

    “E kemi shumë të qartë pamjen se çfarë ka ndodhur atë ditë. Pikëpamja ime është që sulmi në Banjskë ka mundur të jetë një ngjarje tepër e rrezikshme. Nëse shikon tek sasia e armëve që ishin sjellë në Kosovë dhe numrin e njerëzve, nëse ky grup nuk do të ishte ndalur nga operacioni i Policisë së Kosovës, do të kishte një varg sulmesh në stacionet e Policisë së Kosovës, do të kishte barrikada nëpër rrugë… ata nuk kishin thjeshtë armë, ata ishin të pajisur me pajisje shumë të rënda”, ka thënë Cameron.

    Kryediplomati britanik ka thënë se është i vetëdijshëm sesa i rrezikshëm ka qenë sulmi i Banjskës dhe se kjo ka qenë edhe arsyeja e udhëtimit në Kosovë, për të takuar nga afër KFOR-in, komandantin e forcave britanike dhe për të provuar që të bëjë një vlerësim vetë për natyrën e asaj që po ndodh në Kosovë.

    Cameron takon Kurtin: Jam këtu për të përforcuar faktin që ne ju mbështesim

    “Unë jam shumë i vetëdijshëm sesa i rrezikshëm ishte, dhe kjo është edhe arsyeja pse isha në Kosovë dhe takova KFOR-in dhe komandantin e forcave britanike dhe të tjerët, për të provuar të bëj një vlerësim vetë, për natyrën e asaj që po ndodhë në Kosovë”, ka thënë Cameron.

    Cameron: Britania do të ndihmojë në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse

    Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, ka thënë të enjten në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.

    Gjatë një prononcimi për media me ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, më 4 janar në Prishtinë, Cameron ka theksuar rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon në këtë.

    “Ne jetojmë në një botë me pasiguri të madhe, paqëndrueshmëri të madhe, një botë me konflikte të mëdha dhe është një kohë kur vendet, si Britania, duhet t’i mbështesin miqtë tanë, të punojnë ngushtë në aleancat tona të rëndësishme dhe të investojnë në zona që kanë qenë të paqëndrueshme, por që tani po tregojnë shenja të mëdha të stabilitetit dhe progresit. Dhe, kjo është arsyeja pse ne jemi këtu dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë të punojmë me ju”, ka thënë ai.

    Në fund të ditës, Cameron i vizitoi edhe trupat britanike të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Kosovë, duke i falënderuar ata për punën e tyre në garantimin e sigurisë.

    Duke folur për Reuters pas takimit me ushtarët britanikë, ai tha se nuk duhet të lejohet përsëritja e sulmit të 24 shtatorit në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur, të cilët e vranë një rreshter policor.

    “Çfarë ka ndodhur këtu në shtator është tejet shqetësuese dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që të mundemi që ta parandalojmë atë që të mos përsëritet dhe ta luftojmë nëse ndodh përsëri”, tha Cameron./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!