Analisti politik Lulzim Peci në RTV21 tha se njohja e pasaportave të Kosovës nga Spanja nuk është meritë e politikës kosovare.
”Realiteti është se Spanja mbeti e vetmuar në Evropë dhe nuk kishte ndonjë arsye madhore të vazhdojë me politkën e saj të ngurtë”, tha Peci.
Peci tutje ka shtuar se Kosova nuk ka ndikim në Spanjë dhe sipas tij, kjo lëvizje nga ana e Spanjës është bërë për shkak ”të rrethanve evropiane me liberalizimin e vizave”.
Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet, sipas një dokumenti të publikuar më 5 janar në ueb-faqen e Departamentit për Migrim dhe Çështje të Brendshme të Komisionit Evropian.
Në dokumentin e publikuar thuhet se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova”.
“Kjo nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, thuhet në dokument.
Që nga 1 janari, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
Më herët gjatë 6 janarit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Spanja i shtohet listës së shteteve që kosovarët mund të vizitojnë pa pasur nevojë të pajisen me vizë.
“Ndërsa më 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Schengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, shkroi Bislimi në Facebook./Reporteri