Pasditen e sotme në Kosovë ka arritur ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani ku është pritur nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Teksa njofton për ardhjen e Hasanit në Kosovë, Gërvalla bën edhe gafën e radhës. Në një postim në profilin e saj në Facebook, Hasanin e prezantoi gabimisht si “ministër të Kosovës”.
Ky incident nuk është i pari në historinë e ministrisë së Gërvallës, pasi ka pasur gafa të ngjashme në shkrimet e saj publike.
“Në kuadër të vizitës së tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës, sot prita në Vërmicë, Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Kosovës, Igli Hasani”, shkruan Gërvalla, por që shkrimi më pas është përmirësuar.
Ndryshe, Gërvalla njofton se dy delegacionet mbrëmjen e kaluan në fshatin Dubovik, fshatin në të cilin siç thotë ajo “familja Gërvalla me dekada të tëra ka pritur miq në kohë të mira e në kohë të vështira”.
“Ministrin Hasani e falënderova nga zemra për vizitën dhe bisedën shumë të ngrohtë dhe vëllazërore në Kullën e Gërvallajve, Shtëpinë Muze të Jusuf e Bardhosh Gërvallës. Mesazhi që përçon kjo vizitë në këtë vend dhe në prag të datës 17 janar, 42-vjetorit të atentatit në Gjermani, shkon shumë përtej një vizite zyrtare të një Ministri të Punëve të Jashtme në një vend fqinj.
Republika e Shqipërisë është partneri më i dashur dhe më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Thellimi dhe forcimi i marrëdhënieve tona të shkëlqyeshme në të gjitha fushat, është jo vetëm amaneti i të parëve tanë, por i kontribuon zhvillimit të të dy vendeve tona dhe stabilitetit dhe paqes afatgjatë të rajonit tonë”, njofton ministrja./Reporteri.net/