Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dalë me një deklaratë lidhur me mjetet e dyshimta shpërthyese në Klinikën e Patologjisë, shkruan Reporteri.net.
Në reagimin e bërë, thuhet se ato janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve dhe dyshohet të jenë nga koha e paraluftës.
“Rreth orës 14:00, është pranuar informata për një mjet të dyshimtë, që dyshohet të jetë mjet shpërthyes, në Institutet Paraklinike, në QKUK, hapësirat ku është vendosur Oda e Mjekëve e Kosovës. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual, duke evakuar personelin përreth dhe siguruar perimetrin e nevojshëm”.
“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese. Mjetet dyshohet të jenë nga koha e paraluftës dhe janë gjetur gjatë inventarizimit të inventarit nga Oda e Mjekëve”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin për Gazetën Online Reporteri.net kanë folur edhe nga Policia e Kosovës. Të njëjtit kanë thënë se me të marrë informatën është evakuuar personeli dhe po punohet për pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë./Reporteri.net/