Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën ekskluzive dhënë gazetës online Reporteri.net, ka folur lidhur me masat që i janë vënë Kosovës nga Bashkimi Evropian. Presidentja ka thënë se këto masa, janë të padrejta.
“Sa i përket masave të BE-së, për fat të keq Kosova ende përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve është goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut. Gjatë kësaj periudhe jam në kontakt të çdoditshëm me shtetet anëtare dhe lidershipin e BE-së në mënyrë që sa më parë të ketë iniciativë për heqjen e masave”, tha presidentja e vendit.
E para e shtetit ka kumtuar se shumica e liderëve të BE-së janë për heqjen e këtyre masave.
“Më duhet ta përmend që shumica e liderëve të BE-së që kam takuar tashmë janë në favor të heqjes së masave. Në anën tjetër, arsyet për të cilat janë vendosur masat, sado të padrejta, më nuk ekzistojnë. Kosova ka marrë të gjitha masat për deeskalim të situatës dhe janë krijuar kushtet për zgjedhje të reja në komunat në veri, ndaj BE-ja duhet t’i heq ato masa urgjentisht”, tha Osmani. /Reporteri.net/.
Më poshtë mund të lexoni intervistën ekskluzive të presidentes Vjosa Osmani, për gazetën online Reporteri.net.