×
  • Lajme
  • Lajme / Reagon kryetari

    Përparim Rama kërkon hetime për rënien e një pjese të kulmit të Komunës së Prishtinës

    Reporteri
    18 Janar 2024 | 19:24

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Pëparim Rama ka reaguar pas rënies së një pjese të kulmit të objketi të komunës në lagjen “Arbëria”, ku si pasojë një vajzë mori lëndime trupore.

    Rama ka kërkuar nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Sot, në objektin e Kryeqytetit në lagjen “Arbëria” për shkak të erërave të forta ka kolapsuar një pjesë e kulmit, ku për pasojë një person është lënduar dhe tani është nën kujdes mjekësor. Menjëherë kam kontaktuar me familjarët e të lënduarës për t’iu qëndruar pranë në këto momente. Lutemi për shërimin e saj të shpejtë dhe të plotë. Si Kryetar i Kryeqytetit kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë rastin në tërësi dhe të marrin të gjitha masat dhe veprimet në pajtim me legjislacionin në fuqi.”, ka shkruar Rama.

    Lidhur me rastin Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet .

    Këtë e ka konfirmuar për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj. E njëjta ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje me njësitet relevante ku janë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

    “Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’.

    Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, tha Ulaj për Reporteri.net.

    Nga Emergjenca për Reporteri.net thanë se është jashtë rrezikut për jetën.

    Kështu ka bërë të ditur, shefi i Emergjencës, Naser Syla.

    “Po kryhen ekzaminimet. Gjendja e saj momentalisht është stabile”, tha shkurtimisht Syla për Reporteri.net./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!