Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, transmeton Reporteri.net.
Siç njofton Presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit të sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Aty thuhet se Presidentja Osmani dhe shefi i EULEX-it Barbano diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe EULEX-it, brenda mandatit teknik të EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillëdhënie.
Kujtojmë se më 24 shtator të vitit 2024, Policia e Kosovës është sulmuar nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, duke vrarë zyrtarin policor të Kosovës, Afrim Bunjakun.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë, më pas, tre sulmues.
Kosova e ka fajësuar shtetin e Serbisë për orkestrim të sulmit në Banjskë, derisa ish-nënkryetari i Listës Serbë, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për të.
Ministri Xhelal Sveçla ka thënë që Policia e Kosovës, bashkë me Prokurorinë janë duke udhëhequr hetime për këtë rast.
Ai ka thënë se edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) janë duke i kryer hetimet e tyre të ndara në këtë rast.
Sulmi në Banjskë është dënuar rëndë prej faktorit ndërkombëtar dhe janë bërë thirrje për përballje të kryesve të sulmit, me drejtësinë./Reporteri.net/.