×
  • Sport
  • Sport

    MKRS publikon renditjen e re të kategorizimit të federatave, futbolli dhe basketbolli bien në Kategorinë B

    Reporteri
    19 Janar 2024 | 14:28

    Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka publikuar sot (e premte) renditjen e 35 federatave të kategorizuara në listën preliminare të kategorizimit të sporteve për këtë vit.

    Nga 55 federata sportive që janë pjesë e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), procesit të kategorizimit i janë nënshtruar 35 federata, të cilat tashmë kanë një kategorizim të ri.

    Numri prej 35 federatave është më i vogël se ai i 42 federatave, 34 sportistëve dhe 23 trajnerëve që ishin kategorizuar për vitin e kaluar.

    Në Kategorinë, A, B dhe C janë nga tri federata, ndërsa gjitha tjerat renditen në Kategorinë D.

    Ajo që bie në sy është rënia e dy federatave më të mëdha, Federatës së Futbollit me 83.5 pikë dhe Federatës së Basketbollit me 80.6 pikë në Kategorinë B, ku gjenden së bashku me Federatën e Boksit me 83.2 pikë.

    Në Kategorinë A janë kategorizuar Federata e Xhudos me rekord pikësh prej 113.57 dhe ajo e Hendbollit me 87.8 pikë dhe Volejbollit me 85.2 pikë.

    Në Kategorinë C gjenden Federata e Atletikës (73.95 pikë), e Pingpongut (73 pikë) dhe ajo e Mundjes (68.8 pikë).

    Sipas rregulloreve që janë nënshkruar më 30 dhjetor të vitit 2022, kategorizimin e bën MKRS-ja, e cila tashmë e ka kompetencën e plotë, ndërsa më herët është bërë nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).

    Në komisionin për kategorizimin e sporteve kanë qenë dy anëtarë të Departamentit të Sportit, dy anëtarë të Departamentit Ligjor të MKRS-së dhe një anëtar i Divizionit për Buxhet dhe Financa të MKRS-së.

    Sipas rregullores, kategorizimit i janë nënshtruar vetëm federatat që janë të licencuara nga MKRS-ja. Rrjedhimisht vetëm federatat e kategorizuara përfitojnë mjete financiare nga MKRS-ja, përkatësisht nga buxheti i shtetit.

    Kushti për kategorizim vetëm të federatave të licencuara ka përjashtuar disa federata nga ky proces. /Reporteri.net/ 

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!