×
  • Lajme
  • Lajme / Flasin nga Policia e Kosovës

    Vdekja e 18 vjeçarit nga Podujeva, Policia: Të dyshuarit janë arrestuar, rasti ricilësohet si “vrasje e rëndë”

    Reporteri
    20 Janar 2024 | 21:40

    Një 18-vjeçar ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) të shtunën, pasi ditë më parë ishte rrahur brutalisht në Podujevë.

    I njëjti tash e gjashtë ditë ishte duke u trajtuar në Mjekim Intensiv dhe kishte lëndime të rënda në kokë.

    Nga Policia e Kosovës kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se rasti kishte ndodhur më 14 janar, në rrugën “Drenica” në Podujevë.  Po në të njëjtën ditë janë arrestuar dy të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje.

    Nga Policia kanë thënë se rasti është rikualifikuar nga ‘vrasje në tentativë’ në ‘vrasje e rëndë’.

    “Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intesiv ka ndërruar jetë. Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithëshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tetntativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën  “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë. Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor. Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale  “Vrasje e Rëndë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Reporteri.net.

    Për vdekjen e 18 vjeçarit ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    “Rast i rëndë e shumë prekës vdekja tragjike e të riut, L.F. i cili na tronditi të gjithëve me rrethanat e vdekjes. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe shoqërisë së të ndjerit!” ka shkruar ai në Facebook. /Reporteri.net/

    Vdes 18-vjeçari që u rrah brutalisht ditë më parë në Podujevë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!