Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me komunikatë për vdekjen e 18 vjeçarit që u rrah ditë më parë në Podujevë.
Prokuroria njofton se rasti kishte ndodhur më 15 janar, ku pas një një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale ‘Vrasje në tetnativë’ (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente, prokurori ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq nga Policia e Kosovës kanë thënë se të dyshuari po në të njëjtën ditë janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Nga Policia kanë thënë se rasti është rikualifikuar nga ‘vrasje në tentativë’ në ‘vrasje e rëndë’.
“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intesiv ka ndërruar jetë. Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithëshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tentativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë. Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor. Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Reporteri.net.
Për vdekjen e 18 vjeçarit ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
“Rast i rëndë e shumë prekës vdekja tragjike e të riut, L.F. i cili na tronditi të gjithëve me rrethanat e vdekjes. I shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe shoqërisë së të ndjerit!” ka shkruar ai në Facebook. /Reporteri.net/