Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen e dinarit nga transaksionet e pagesave është një surprizë e panevojshme dhe se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian janë duke monitoruar dhe analizuar nga afër zhvillimin e situatës, shkruan RTS, përcjell Reporteri.net.
Christopher Hill tha se veprime të tilla të njëanshme duhet të shmangen në këtë fazë të dialogut.
“Në këtë fazë të dialogut që kemi arritur dhe që z. Lajçak ka arritur, duhet të shmangen befasitë e panevojshme dhe veprimet e njëanshme. Mendojmë se më e rëndësishmja tani është formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe, por edhe që Kosovës t’i jepet qasje në institucionet ndërkombëtare. Duhet të fokusohemi në këtë dhe të shmangim temat që nuk janë me interes të përbashkët”, tha Christopher Hill gjatë një vizite në Spitalin Special Ozren në Sokobanja.
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se euro do të jetë valuta e vetme e lejuar për transaksionet e pagesave me para të gatshme dhe se ajo masë hyn në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. /Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.