×
  • Lajme
  • Botë / 5.2 shkallë Rihter

    Tërmet i fuqishëm në Turqi – nuk raportohet për viktima apo dëme ekonomike

    Reporteri
    25 Janar 2024 | 20:07

    Një tërmet me magnitudë 5.2 shkallësh të Rihterit ka ndodhur në qytetin e Malatyas.

    Presidenca e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Turqisë njoftoi se epiqendra e tërmetit ishte rrethi Battalgazi.

    Tërmeti, i cili ndodhi në orën 16.04 (sipas kohës lokale turke) në një thellësi prej rreth 14 kilometrash, u ndje në Malatya si dhe në provincat përreth Kahramanmaraş, Adıyaman, Gaziantep dhe Mardin.

    Raportohet se njerëzit dolën në rrugë në panik pas tërmetit të rëndë, shkruan bbc.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, ka deklaruar se kanë filluar punimet e skanimit në terren dhe se “për momentin nuk ka asnjë situatë negative”.

    Malatya është ndër qytetet më të prekura nga tërmetet me qendër Kahramanmaraş që ndodhën më 6 shkurt të vitit 2023.

    Më 22 prill të kaluar, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, njoftoi se nga tërmetet humbën jetën 50 mijë e 783 persona.

    Numri i personave që humbën jetën në Malatya u njoftua 1393 dhe numri i të plagosurve ishte 9108. /Telegrafi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!