×
  • Lajme
  • Lajme / Konferencë pas takimit me krerë të BQK-së

    Hovenier kërkon të shtyhet vendimi për dinarin

    Reporteri
    29 Janar 2024 | 12:32
    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur thirrjen që të shtyhet vendimi për zbatimin e rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa, përcjell Reporteri.net. 

    Në takimin me guvernatorin e BQK-së, Ahmeti Ismaili, ambasadori Hovenier ka shtuar se duhet të ofrohet kohë e mjaftueshme “për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ te qytetarët”.

    “Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, ka shkruar në rrjetin social X ambasadori amerikan.

    Ambasadori Hovenier takohet me guvernatorin e BQK-së, kërkon të shtyhet vendimi për dinarin serb

    Më vonë, në një prononcim për media, ambasadori amerikan ka theksuar se ky vendim i BQK-së nuk duhet të ndikojë negativisht tek qytetarët.

    “Ne besojmë se kjo rregullore, mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht… Pra, ajo që po i kërkojmë Bankës Qendrore dhe autoriteteve të bëjnë është të shtyjnë zbatimin e disa prej dispozitave, të japin pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullatat e prekura të mos ndikohen negativisht”, tha ai.

    Hovenier ka thënë se një pjesë e kësaj rregullore shkon me atë se çka kanë kërkuar prej kohësh nga Kosova, por se duhet të zgjidhen disa çështje.

    “Njerëzit të cilët kanë marrë pagesa në një mënyrë të caktuar kanë marrëveshje për të marrë pagesa në një mënyrë tjetër, se nuk ka njeri që vuan nga rregullimi. Ne respektojmë absolutisht autoritetin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar transaksionet financiare në mbarë Kosovën. Kjo është përgjegjësia e tyre dhe besoj se një pjesë e kësaj rregulloreje shkon në diçka që ne dhe shumë të tjerë e kemi kërkuar prej kohësh, që është sigurimi i kontrolleve të duhura financiare për të shmangur krimet financiare, pastrim parash, financim terrorizmi, gjëra të tilla. Por ne besojmë se nevojitet kohë, nevojitet periudha e tranzicionit dhe disa çështje duhet të zgjidhen, nga këndvështrimi ynë, duket se nuk janë zgjidhur ende”, ka thënë ai para mediave.

    Në një deklarim të përbashkët për këtë çështje, vendet e QUINT-it janë shprehur të shqetësuara për ndikimin e rregullores, duke theksuar ndikimin në shkolla e spitale.

    “Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbia. Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, QUINT-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë më të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”, thuhet në njoftim e bërë të dielën (28 janar).

    QUINT-i ka kërkuar që kjo çështje duhet të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

    Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

    Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka thënë më herët se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim, i cili sipas Listës Serbe – partisë kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

    Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

    Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

    Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!