×
  • Lajme
  • Lajme / Kërkesa e bashkësisë ndërkombëtare

    Rregullorja që përjashton dinarin nga qarkullimi hyn në fuqi nesër, a do të ketë shtyrje të vendimit?

    Reporteri
    31 Janar 2024 | 9:36

    Nga nesër ndalohet përdorimi i dinarit serb në pagesat me para të gatshme në vend, sipas një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës. 

    Banka Qendrore e Kosovës e nxori një rregullore të re javë më parë, e cila kërkon që të gjitha pagesat me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm me euro duke nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

    Vendimi nxiti shumë reagime, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier,  edhe gjatë së hënës ka përsëritur thirrjen që të shtyhet vendimi për zbatimin e rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.

    Kjo pas një takimi që Hovenier kishte me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili.

    BQK-ja nuk ka dhënë detaje për kërkesën e Hovenierit për të shtyrë zbatimin e kësaj rregulloreje, por vetëm ka sqaruar aspektet e saj në këmbim e pranim të mjeteve financiare.

    Në njoftimin e lëshuar u tha se në takim u potencua nevoja që të ketë një komunikim sa më efektiv dhe të fokusuar lidhur me ndikimet e mundshme dhe kufizimet e kësaj Rregulloreje, si dhe mundësitë ekzistuese ligjore për qasje në shërbime të sigurta financiare.

    Ndërsa, thuhet se u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jo-bankare të licencuara nga BQK.

    Andaj, sipas BQK-së të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore.

    “Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”- ka njoftuar BQK.

    Ambasadori amerikan ka theksuar se ky vendim i BQK-së nuk duhet të ndikojë negativisht tek qytetarët.

    Hovenier kërkon të shtyhet vendimi për dinarin

    Një kërkesë të tillë e pati edhe Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

    Shtyrja e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, sipas BE-së, do të mundësonte që të adresohej ndikimi i mundshëm negativ te komuniteti serb në Kosovë.

    Ndërkaq ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak i cili dje qëndroi në Kosovë dhe pati takime me krerët e shtetit, paralajmëroi se sot do të jepen më shumë informacione lidhur me këtë çështje nga ana e Qeverisë, duke mos dhënë më shumë detaje.

    “E kemi përmendur këtë çështje në lidhje me vendimin e BQK-së, por nuk dua të veprojë si zëdhënës i qeverisë. Nesër do të kuptoni më shumë për këtë”, tha Lajçak para mediave gjatë ditës së djeshme.

    Deri më tani, dinari, monedha zyrtare e Serbisë  ka mundur të përdoret në objektet tregtare në të gjitha zonat me shumicë serbe në Kosovë. /Reporteri.net/

    Çka ndodhë pas heqjes së dinarit në Kosovë?

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!