Një raport i D4D dhe Pikasa, i mbështetur nga NDI dhe USAID, ka treguar manifestimin e mizogjinisë online në abuzimin online në baza gjinore kundër grave në jetën publike dhe në gjuhën e përdorur nga përdoruesit e rrjeteve sociale. Të tillë, raporti e ka identifikuar edhe sulmin e Rron Gjinovcit, një aktivist të afërt me politiken dhe pushtetin në Kosovë, ndaj juristes së medias Flutura Kusari.
Raporti që nxjerr në pah dezinforimin në baza gjinore, tek kapitulli i mizogjinisë, e kualifikon Gjinovcin si mizogjin, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Gratë në arenën publike, qoftë në politikë, gazetari apo profesione të tjera, shpesh gjykohen në bazë të pamjes së jashtme, modelit të flokëve, veshjes, peshës e kështu me radhë, ndërsa aftësitë, kualifikimet dhe kapacitetet e tyre profesionale shpesh neglizhohen. Sulmet ndaj pamjes fizike mund të ndodhin kur nuk ka kundërargumente për kualifikimet e tyre profesionale. I tillë është edhe komenti ndaj Flutura Kusarit, një juriste e cila u kritikua në lidhje me flokët e saj teksa avokonte për një nga çështjet mediatike”, thotë raporti i publikuar së fundi nga D4D – Demokracia në Zhvillim dhe “Pikasa” “MEDIAT JO-SOCIALE – Hulumtimi dhe ekspozimi i dezinformimit gjinor në Kosovë”.
Ky raport është mundësuar me mbështetjen e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID në Kosovë dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.
Mizogjinia është urrejtje, përbuzje ose paragjykim ndaj grave. Është një formë seksizmi që i mban gratë në një status social më të ulët se burrat, duke ruajtur kështu rolet shoqërore të patriarkatit. Një shembull i mizogjinisë është dhuna ndaj grave. Mizogjinia gjithashtu shpesh vepron përmes ngacmimit seksual, detyrimit dhe teknikave psikologjike që synojnë kontrollin e grave.
Komenti seksist i Rron Gjinovcit, drejtues i organizatës “ORCA”, ndaj Flutura Kusarit ishte bërë në Facebook, pasi juristja e medias ishte aktive në në mbrojtjen e të drejtës së medias dhe gazetarëve – në rastin konkret, kur pushteti politik në Kosovë ishte vnënë në gjahë për ta mbyllur një nga televizionet kritike, më të mëdha në vend.
Të gjithë me Fluturën e Lirisë së Mediave
Gjuha e ish-aktivistit të LVV’së ndaj Kusarit ishte dënuar dhe kishte nxitur reagime të ndryshme në mbrojtje të “Flutures së Lirisë së Medias”, derisa ishte përkrahur disi veç nga analisti Shkëlzen Gashi, një ish-eksponent i LVV’së, gjithashtu.
Nga ana tjetër, raporti i D4D dhe Pikasa, ka nxjerrë në pah edhe raste tjera të mizogjinisë online dhe abuzimit në baza gjinore nga mediat sociale. Aty përfshihen edhe sulmet seksiste ndaj Presidentes Vjosa Osmani, shefes së grupit parlamentar të LVV’së Mimoza Kusari-Lila e deputeteve Vlora Çitaku e Saranda Bogujevci, e shumë raste të tjera.
Raporti po ashtu ka identifikuar edhe sulmin verbal të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Svecla, ndaj gazetares Besarta Hoti që kishte ndodhur në një konferencë të të parit në Qeveri të Kosovës. Po ashtu, në raport, vend zënë edhe sulmet dhe fushatat linçuese ndaj gazetares Dafina Demaku.
Ndryshe, dje, Flutura Kusari, është shpallur një nga 13 heroinat dhe heronjtë e vitit 2023 në Ballkan nga “Le Courrier des Balkans”. Njoftimin e dha vetë juristja e medias, pas një dreke me ambasadorin francez në Prishtinë, Olivier Guerot, dhe stafin e tij, në rezidencën e diplomatit.
Gjysma e pjesëmarrësve vajza në trajnimin në Prizren mbi Edukimin Medial