Ushtarët po luftojnë në llogoret e akullta dhe të bombarduara nga artileria ruse ose nëpër shtëpitë në zonat urbane. Numri i të vrarëve është shumë i lartë dhe misionet janë shumë të vështira, përcjell gazeta online Reporteri.net
Teksa ata po bëjnë përpjekje për të ngjallur frontin e luftës, si ish-komandantët ashtu edhe ata që janë në detyrë, përmendin të njëjtin problem: si të vazhdojnë me të njëjtët ushtarë që janë në detyrë tash e dy vjet, pa asnjë ditë pushim.
Gazeta e njohur amerikane “New York Times” shkruan se në javën e ngarkuar të luftës, presidenti Volodymyr Zelenskyy ka hequr gjeneralin Valery Zaluzhny, teksa ndihma nga furnizuesja më e madhe me armë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbetet në dyshim shkaku i bllokadës në Kongres.
Kur Ukraina po varet nga aleatët për armatim, asaj i ka dalë problem edhe me numrin e vogël të ushtarëve. Protesta të vogla kanë shpërthyer nga opozita me propozimin e Parlamentit për të zgjeruar mobilizimin, duke ftuar burra të rinj. Mirëpo deputetëve ukrainas nuk u është ngutur për këtë propozim.
Analistët ushtarakë janë pajtuar rreth idesë se Ukraina, në rastin më të mirë, do të mbajë vijat aktuale të frontit në luftimet tokësore nëse arrin armatimi i ri amerikan dhe pa këtë armatim rrezikon të tërhiqet nga këto vija. Planifikon të forcojë radhët me mobilizim dhe të mbajë larg Rusinë duke përdorur raketa e dronë.
Me emërimin e gjeneralit të ri Oleksandr Syrsky, Zelenskyy ka thënë se dëshiron ekip të ri menaxhues për forcat e armatosura. Ka sinjalizuar edhe strategjinë e re me qëllim që të zëvendësojë ushtarët e lodhur në frontin e luftës.
Ai ka propozuar rregullimin e pjesshëm, duke angazhuar në frontin e luftës ushtarët që ishin në detyra më të lehta të luftës, mirëpo presidenti ukrainas ka paralajmëruar edhe qasjen e re për mobilizim dhe rekrutim. Për këto nuk ka ofruar detaje.
Mobilizimi ka qenë faktor kyç në shkarkimin e gjeneralit Zaluzhny. Planet për thirrjen e më shumë ushtarëve që të luftojnë në llogoret e akullta, ishte diçka që askush në ushtrinë ukrainase nuk e dëshironte. Që prej muajit dhjetor, gjenerali dhe Zelenskyy janë përplasur me njëri-tjetrin në lidhje me mobilizimin.
Në dhjetor, Zelenskyy kishte thënë se stafi i gjeneralit Zaluzhny kishte kërkuar të ftonte në ushtri deri në 500 mijë burra. Komenti i tij synonte që përgjegjësinë të bartte te ushtria.
Gjenerali ishte përgjigjur se vendimi për të thirrur më shumë burra për ushtri nuk i takonte ushtrisë.
Fshatrat në perëndim të Ukrainës kanë qenë burimi kryesor i ushtarëve dhe mbështetja për luftën ka qenë më e lartë në perëndim sesa në rajonet tjera të Ukrainës. Mirëpo humbja e burrave ka ndikuar në shumë familje.
Në një fshat në perëndim të Ukrainës, nisën thashethemet se gjatë javës do të vinin zyrtarë dhe do të merrnin burrat e mbetur të fshatit. Rreth 100 gra bllokuan rrugën kur një grua e fshatit fqinj u ngatërrua me zyrtaren e qeverisë, ka njoftuar policia.
Fshatrat ukrainase që prej fillimit të luftës janë shqetësuar nga “vëzhguesit” ose spiunët e Rusisë që marrin informata, por në rastin e këtyre grave, burim i shqetësimit të tyre ishte lajmi se do të ftohen burra të tjerë për ushtri.