×
  • Lajme
  • Lajme / Agresioni serb në Banjskë

    Rama: Sulmi i shtatorit në veri të Kosovës, kthesë e rrezikshme për gjithë Ballkanin Perëndimor

    Reporteri
    14 Shkurt 2024 | 21:30

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se sulmi i Banjskës ka qenë një kthesë e rrezikshme për bashkëjetesën e komunitetit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

    “Nuk kemi qenë asnjëherë po mirë, edhe pse pa diskutim nuk jemi pa probleme dhe nuk është se nuk kemi parë edhe në të shkuarën e afërt kthesa të rrezikshme dhe ajo lidhur me Banjskën ka qenë një kthesë vërtet e rrezikshme. Ka qenë një moment vërtet shumë dramatik në bashkëjetesën e komunitetit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të sjellin rast ne jemi shprehur në mënyrë shumë të qartë”, tha Rama.

    Ai tha se nëse problemet nuk adresohen me dialog, mund të jenë jo vetëm të rrezikshme, por sipas tij edhe fatale.

    “Është e rëndësishme që të mos e humbasim fokusin se jemi më mirë se ndonjëherë, por gjithçka që është arritur mund të kthehet përmbys nëse ne e marrim për të mirëqenë dhe nuk i adresojmë me dialog, me konstruktivitet, me sensin e të ardhmes, ato probleme që potencialisht të përmbajnë edhe rreziqe pastaj, për kthesa që mund të jenë vetëm të rrezikshme, mund të jene edhe fatale”, tha Rama.

    Më 24 shtator në Banjskë, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës duke vrarë një rreshter. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Serbinë për këtë ngjarje, që Kosova e konsideron sulm terrorist.

    Gjatë përleshjeve më 24 shtator u vranë edhe tre sulmues serb. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë

    Rama po ashtu tha se çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë.

    Ai tha se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se e ka Shqipërinë, por sipas tij, sepse i ka edhe aleatët strategjik.

    “Shqipëria nuk është thjesht një entitet gjeografik apo një entitet shtetëror që ka lidhje speciale me Kosovën dhe çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë, por nga anën tjetër, mos të harrojmë asnjëherë dhe për këtë arsye duhet me i pasë parasysh të gjitha kur nganjëherë e kalojmë masën në raport me aleatët, se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se ka Shqipërinë, po sepse ka aleat strategjik, që i dimë fare mirë kush janë, pa të cilin Kosova s’do të ekzistonte sot si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha ato që ne të gjithë duam që Kosova t’i arrijë. Kështu që, për këtë arsye duhet menduar çdo ditë për peshën dhe rëndësinë e aleatëve, edhe kur je në një paqe të plotë e jo më kur je në një proces si ky, kur ke nevojë për sa më shumë miq dhe kur të humbasësh miq apo të ftohësh zemrën e miqve është gjëja më e pakëshillueshme e mundshme”, tha Rama.

    Rama: Vizita e Blinkenit tregon se Shqipëria është një vend i rëndësishëm për SHBA-në

    Ai thotë se, as që diskutohet që Shqipëria do t’i qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje.

    As nuk diskutohet që Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje, nëse edhe, mos e dhëntë Zoti gjërat shkojnë në pikën ku në mes nuk është më fjala, po janë armët”, tha Rama.

    Mbledhja në KS të OKB-së ishte kthim mbrapa për Kosovën

    Rama po ashtu tha se mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën u zhvillua debati mes Kosovës dhe Serbisë sa i takon vendimit për dinarin serb, ishte një mbledhje e pakuptimtë.

    “Nuk është Këshilli i Sigurimit, ka kohë që s’është dhe që s’duhet të bëhet vendi ku diskutohet Kosova apo Kosova diskuton çështje e saj dhe kundërshtitë e saj me Serbinë. Kosova është si Serbia, një shtet i pavarur, do apo s’do Serbia, e njohin apo s’e njohin ata që ende nuk e njohin dhe çështjet që ka me Serbinë, Kosova i diskuton si e barabartë dhe duhet të diskutojë si e barabartë në tryezën e dialogut dhe t’i zgjidhë tryezën e dialogut”, tha Rama.

    Sipas tij, kjo mbledhje ishte kthim mbrapa për Kosovën.

    “Nuk ka asnjë kuptim që Kosova të thirret atje dhe të shkojë atje dhe të përplaset atje, si një realitet që ca e konsiderojnë shtet, ca nuk e konsiderojnë shtet. Është nonsens”, tha Rama.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!