Rreth orës dy të natës të martën që shkoi, senatori republikan Ron Johnson nga Wisconsin mori fjalën në Senat dhe sqaroi se përse kundërshtonte ndihmat për Ukrainën me qëllim që të ndalej pushtimi që ka nisur nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2022, shkruan agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Nuk e dua këtë realitet. Vladimir Putini është kriminel i keq lufte. Ai nuk do ta humbasë këtë luftë”, ka thënë senatori Johnson, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Ky argument – se presidenti rus nuk mund të ndalet, prandaj nuk ka arsye që të përdoren dollarët e taksapaguesve amerikanë kundër tij – shënon fazën e re të pranimit në rritje në mesin e republikanëve të ekspansionizmit rus në epokën e Donald Trumpit.
Republikanët kanë qenë të butë karshi Rusisë qëkur Trumpi fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 pasi hakerët rusë sulmuan kundërshtarët e tij demokratë. Ka disa arsye për këtë zbutje. Mes shumë arsyeve, njëra është se Putini e cilëson veten si prijës i vlerave konservatore të krishtera dhe republikanët janë gjithnjë e më skeptik ndaj problemeve jashtë SHBA-së. Pastaj është afërsia personale e Trumpit me liderin rus.
Së fundmi ambivalenca e republikanëve ndaj Rusisë ka bllokuar ndihmat shtesë për Ukraninën në momentet kyçe të luftës.
Vetëm gjatë javës së kaluar Senati ka miratuar pakon e ndihmave në vlerë prej 61 miliardë dollarëve. Mirëpo Johnsoni ishte në mesin e shumicës së republikanëve që votuan kundër pakos.
Shumë republikanë hapur kanë shprehur pakënaqësinë se kolegët nuk shohin përfitimet nga ndihma për Ukrainën. Putini dhe aleatët e tij janë mbështetur te lodhja e demokracive me ndihma për Kievin dhe kritikë e republikanëve kanë paralajmëruar shtetet e NATO-s se vendet në Evropën Lindore mund të bëhen cak i Rusisë së guximshme që beson se SHBA-ja nuk do ta kundërshtojë.
“Putini po humbë”, ka thënë senatori republikan Thom Tillis nga Karolina Jugore, para se të mbante fjalimin kolegu i tij Johnson.
Ndarja e thellë brenda partisë është parë qartë të premten me lajmin për vdekjen e kryeopozitarit rus, Alexei Navalny. Presidenti amerikan Joe Biden dhe liderët e tjerë fajësuan Putinin për vdekjen e tij.
Senatori Tillis ka thënë se “historia nuk do të jetë e mirë me ata në Amerikë, të cilët i bëjnë apologji Putinit dhe lavdërojnë autokracinë ruse”.
Trumpi ka histori të gjatë të lëvdatave për Putinin, duke e cilësuar pushtimin e Ukrainës si veprim të mençur të tij dhe këtë muaj ka deklaruar se e kishte inkurajuar Rusinë që të bënte çfarë t’i teket me shtetet e NATO-s që nuk kanë financuar për mbrojtjen.
“Qëllimi i Bashkimit Sovjetik ishte që të jetë qendra e ideve të majta. Rusia tani është qendër e ideve konservatore”, ka thënë Olga Kamenchuk, profesoreshë në universitetin Northwestern.
Kamenchuk thotë se kjo është e qartë edhe në përkrahjen e butë të republikanëve për Ukrainën. Gati gjysma e republikanëve janë të mendimit se SHBA-ja e ka tepruar me përkrahje për Ukrainën kur bëhet fjalë për pushtimin rus.
Disa ekspertë thonë se Putini ka kthyer planet për të marrë kontrollin e pjesës më të madhe të ish-Bashkimit Sovjetik. Këtu përfshihen shtetet anëtare të NATO-s si Lituania dhe Estonia. Këto dy shtete, SHBA-ja është e obliguar që t’i mbrojë ushtarakisht për shkak të traktatit të nënshkruar.
Sergev Radchenko, profesor për studimet e avancuara ndërkombëtare, thotë se Rusia me dekada ka shpresuar se SHBA-ja do të humbte interesin për mbrojtjen e Evropës. “Kjo ishte ëndrra e Stalinit, se SHBA-ja do të tërhiqej në hemisferën perëndimore”.