I mbyllur në qelitë e ftohta prej betoni dhe shpesh i vetëm me librat e tij, Aleksei A. Navalny kërkonte ngushëllim te letrat. Në një komunikim me të afërm, ai shkruante në muajin korrik se askush nuk mund ta kuptojë jetën në burgjet ruse “pa e provuar një herë”, duke shtuar me humorin e tij të zakonshëm se: “Por nuk ka nevojë që të vish këtu”. Këto letra i ka siguruar gazeta njujorkeze “The New York Times”.
“Nëse të thonë se do të ushqejnë me havjar, ata do të ushqejnë me havjar”, i shkroi Navalny shokut të tij Ilia Krasilshchik. “Nëse u thonë se do të ngufatin në qeli, do të të ngufatin”, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Shumë detaje rreth muajve të tij të fundit – si rrethanat e vdekjes që mbeten të panjohura e deri te vendndodhja e trupit të tij mbetet e paqartë.
Të afërmit e Navalnyt kanë folur pak. Mirëpo muajt e fundit të jetës së tij janë detajuar në deklaratat e tij të mëparshme, paraqitjet në gjykatë, intervistat dhe një pjesë e letrave private që i shkruante me shokët, përfshirë Krasilshchikun.
Letrat zbulojnë thellësinë e ambicieve, vendosmërisë dhe kuriozitetit të liderit që nxiti opozitën ndaj presidentit Vladimir Putin. Mbështetësit e tij besojnë se do të jetojë si simbol i rezistencës. Ata tregojnë gjithashtu se Navalny – me ego të shëndetshme dhe besim të pashtershëm se ajo që po bënte ishte e drejtë – luftoi për të qëndruar i lidhur me botën e jashtme.
Edhe pse kushtet brutale të burgut ndikuan në fizikun e tij – shpesh atij iu mohua trajtimi mjekësor dhe dentar – nuk kishte asnjë aluzion se Navalny kishte humbur qartësinë e mendjes. Kështu tregojnë letrat e tij.
Mburrej se për një vit kishte lexuar 44 libra në gjuhën angleze dhe po përgatitej metodikisht për të ardhmen; duke refinuar agjendën, duke studiuar memuaret politike, duke debatuar me gazetarët apo duke ofruar këshilla për shokët.
Në mesazhet e tij publike, Navanly, i cili ishte 47-vjeçar, mbylljen e tij në burg në janarin e vitit 2021 e kishte cilësuar si “udhëtim në hapësirë”. Në vjeshtën e shkuar, ishte fikall. Pjesën më të madhe të kohës e kaloi në izolim dhe mbeti pa tre avokatët e tij, të cilët u arrestuan për pjesëmarrje në “grup ekstremist”.
Ama, ishte i informuar për ngjarjet aktuale. Shokut të tij, fotografit rus Evgeny Feldman, Navalny i kishte thënë se agjenda elektorale e ish-presidentit amerikan Donald Trump “të kallte datën”. “Trumpi do të bëhet president” nëse përkeqësohet shëndeti i presidentit Biden, shkruante Navanly nga qelia. “A nuk i shqetëson kjo gjë demokratët” pyeste Navanly nga burgu i sigurisë së lartë.
Navanly mund të dërgonte qindra letra të shkruara me dorë, falë digjitalizimit të sistemit rus të burgjeve. Qe relikt i reformës jetëshkurtër liberale në sundimin 24-vjeçar të Putinit. Në një faqe interneti, njerëzit mund t’i shkruanin Navanlyt 50 për qind të faqes dhe të merrnin përgjigje nga ai. Procesi zgjaste dy javë sepse letrat dhe përgjigjet e tij kalonin nëpër censurë.
Navanly i kishte shkruar mikut të tij Krasilshchik se i pëlqenin seancat gjyqësore, pavarësisht natyrës së ashpër të sistemit gjyqësor të Rusisë.
“Ato ju shpërqendrojnë dhe ndihmojnë që koha të kalojë më shpejtë”, shkruante Navanly. “Përveç këtyre, ato ofrojnë kënaqësi dhe ndjenjën e përndjekjes”, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Në korrikun e shkuar, në vendimin e gjykatës për ta dënuar me 19 vjet burgim, Navanly u kishte thënë gjykatësit dhe policëve në sallë se janë të çmendur.
“E keni një jetë që ua ka dhënë Zoti dhe kështu e keni sosur ta shpenzoni?” u kishte thënë Navanly.
Jeta në izolim
Në izolim, ai besohet se i ka kaluar 300 ditë. Qelitë ishin të akullta dhe hapësirë një metër me dy. Mirëpo Navalny kishte protestuar për diçka tjetër: të burgosurve u lejohej të kalonin kohën me vetëm një libër. “Dua dhjetë libra në qelinë time”, kishte thënë Navalny.
Librat ishin qendra e jetës së Navalnyt në burg. Ishin të tillë deri në vdekje.
Në një letër në prillin e kaluar, Navanly kishte shkruar se po lexonte dhjetë libra përnjëherë. Ishte pikur pas memuareve. “Për disa arsye i kam përbuzur gjithmonë. Mirëpo në të vërtetë janë të mahnitshëm”.
Ishte bërë e qartë se Kremlini kishte për qëllim t’i mbyllte gojën Navalnyt. Avokatët që e kishin përfaqësuar atë për pjesën më të madhe të kohës pas hekurave ishin në burg, ndërsa letrave dhe vizitorëve do të duhej më shumë kohë për ta arritur në burgun e tij të ri.
Nëna e Navalnyt, Lyudmila Navalnaya, fluturoi në Arktik pas njoftimit për vdekjen e tij.
Miqtë dhe aleatët thonë se trashëgimia e Navalnyt do të jetojë, pjesërisht përmes shkrimeve të tij në burg. Feldman ka thënë se ekipi ligjor i Navalnyt i tha atij se lideri i opozitës i ishte përgjigjur të paktën disa prej letrave që Feldman dërgoi javët e fundit.
“Sinqerisht, unë mendoj për këtë me tmerr,” ka thënë Feldman. “Nëse censuruesit i lejojnë ata, unë do të marr letra prej tij për disa muajt e ardhshëm”.
Krasilshchik, sipërmarrësi mediatik, ka thënë se i mbeti të mendonte për letrën e fundit që mori në shtator. Navalny e përfundoi atë duke pohuar se nëse Koreja e Jugut dhe Tajvani do të ishin në gjendje të bënin kalimin nga diktatura në demokraci, atëherë ndoshta edhe Rusia do të mundte.
“Shpresa. Nuk kam asnjë problem me të”, shkroi Navalny. “Vazhdoni të shkruani! A.”