Biznesmeni nga Shqipëria, Arlend Gjoni është arrestuar në Han të Elezit për kanosjen e një biznesmeni nga Kosova. Gjoni ishte denoncuar në polici për kanosje, nga biznesmeni Driton Shuki, pronar i Avicenas. Kërcënimi ka ndodhur kohë më parë në qytetin e Shkupit, ndërsa denoncimi është bërë në Kosovë dhe Gjoni pas ndalimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Për mediat në Kosovë, avokati i Arlend Gjonit, Ahmet Tahiri ka thënë se ngjarja është inskenuar nga i dëmtuari.
“Ky është një inskenim nga ana e të ‘dëmtuarit’ që ka për qëllim që ta ndajë nga e dashura për faktin se ky denoncim është bërë pas rreth dy muaj pasi që është bere telefonata dhe të njëjtit janë takuar në muajin dhjetor ku kanë pasur një takim miqësor”, ka thënë Tahiri për Insajderin.
Ndërkohë, Arlend Gjoni nuk është i panjohur për organet e rendit edhe në Maqedoninë e Veriut. I njëjti kohë më parë dyshohet të ketë plagosur një person me inicialet V.A i cili kishte edhe funksione publike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa që dyshohet të ketë kërcënuar edhe një biznesmen tjetër kosovar dhe familjen e tij.
Gjithashtu Gjoni njihet si njeri i afërt i një grupi kriminal që ishte goditur nga policia maqedonase në janar të këtij viti. Për këtë grup në konferencë për media kishte dalë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh me qëllim të privimit nga liria të individëve për të cilët ekziston dyshime se si anëtarë të grupit të organizuar kriminal ndërkombëtarë, kanë qenë të përfshirë në organizimin e furnizimit të drogës narkotike – kokainë, kryerjen e veprave të rënda penale – vrasje. Aktivitetet e sotme të nëpunësve të Byrosë për Siguri Publike janë rezultat i punës disamujore të udhëhequr nga prokurorë publik nga Prokuroria Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në kuadër të së cilës u siguruan dëshmi të mjaftueshme se në periudhën e caktuar nga dhjetori 2019 – deri në mars 2021 në territorin e Maqedonisë së Veriut, i denoncuari Sh.M. 47 vjeçar nga fshati Gërçec bashkë me dy persona, tashmë të ndjerë, O.B. dhe J.K. kanë organizuar grup kriminel ku pjesëtarë u bënë më shumë persona. Grupi kriminel ka pasur për qëllim të kryejë vepra penale – vrasje për hakmarrje dhe me porosi për përfitim, ku personat e caktuar kanë bërë plane për atë se kush, kur, ku dhe në çfarë mënyre të privohet nga jeta dhe vendimet e tyre dhe planet i kanë realizuar personalisht ose nëpërmjet pjesëtarëve të grupit kriminel të cilët i kanë pranuar”, kishte thënë Spasovski.
Ky grup dyshohet se kishte organizuar edhe një vrasje të stilit mafioz, e cila ishte kryer në Prishtinë. Viktimë e këtij akti kriminal kishte mbetur Blerim Daci, që konsiderohet të jetë një nga rivalët e këtij grupi, për të cilin flet edhe ish Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski. Kjo ngjarje kishte ndodhur në qershor të vitit 2023.
Ndërkohë, ishte pasuar me vrasjen e Orhan Bajramit më pas që konsiderohej si një nga krerët e këtij grupi kriminal. Ai ishte vrarë në korrik të 2023 në një resort luksoz në Greqi.
Ish Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski kishte thënë se ky grup i organizuar, kishte lidhje të forta me strukturat e sigurisë në Maqedoninë e Veriut.