Në fillimshkurt, kur moderatori kundërthënës, Tucker Carlson e pyeti Vladimir Putinin për arsyet e pushtimit të Ukrainës para dy vjetësh, Putini i mbajti ligjëratë për historinë ruse, raporton Associated Press.
Më shumë se 20 minuta i shpenzoi, duke e munduar Carlsonin me data dhe emra që datonin nga shekulli i IX, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Madje, Putini ia dha një grumbull dokumentesh, që sipas tij, ishin dokumente historike që mbështetnin qëndrimin e tij: se ukrainasit dhe rusët historikisht kanë qenë një popull dhe se sovraniteti i Ukrainës ishte zotim i jashtëligjshëm i dal nga periudha sovjetike.
Carlsoni ka thënë se kishte mbetur i shtangur nga ligjërata për historinë. Mirëpo ata që e njohin qeverinë e Putinit, thonë se kjo nuk ishte aspak befasuese: Në Rusi, historia për një kohë të gjatë ka qenë mjet i propagandës për të çuar përpara qëllimet politike të Putinit. Dhe dy vitet e fundit kanë qenë fiks në përputhje me këtë etikë.
Në përpjekje për të fituar sa më shumë përkrahje rreth pikëpamjes së tyre botërore, autoritetet ruse janë përpjekur t’i bëjnë të mëdha fitoret e vjetra të Rusisë, teksa fshijnë kapitujt më të ndyrë të historisë së tyre. Rusia ka rishkruar tekstet shkollore, ka financuar ekspozita të shumta historike dhe ka shtypur të gjithë zërat që kundërshtonin narrativën e saj.
Zyrtarët rusë vazhdimisht kanë reaguar ashpër ndaj Ukrainës dhe shteteve tjera evropiane që rrëzonin monumentet sovjetike, të cilat shiheshin si trashëgimi e padëshiruar e shtypjes së mëparshme.
“Në duart e autoriteteve, historia është bërë çekan ose sëpatë”, ka thënë Oleg Orlov, bashkëthemelues i grupit më të njohur rus për të drejtat e njeriut.
Që nga vitet e hershme të sundimit të tij çerekshekullor, Putini ka pohuar vazhdimisht se studimi i historisë së tyre duhet t’i bëjë krenarë rusët. Edhe figurat më kundërthënëse, si diktatori sovjetik Josef Stalin, kontribuan në madhështinë e Rusisë, vazhdon të argumentojë Putini. Në Rusi janë ngritur më shumë se 100 monumente të Stalinit, të gjitha gjatë pushtetit të Putinit.
Presidenti rus ka insistuar se duhet të ketë një narrativë të vetme shtetërore, në vend të shumë teksteve që janë në kontradiktë me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, ai ka bërë thirrje që librat e historisë të kenë të njëjtën përmbajtje. Mirëpo ideja, e kritikuar shumë nga historianët, nuk ka marrë shumë vëmendje, deri në kohën kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.
Vitin e kaluar, qeveria nxori një seri prej katër tekstesh të reja “universale” të historisë për nxënësit e klasave të 10-ta dhe të 11-ta. Njëri paraqiste një kapitull mbi “operacionin special ushtarak” të Moskës në Ukrainë, fajësoi Perëndimin për Luftën e Ftohtë dhe e përshkroi rënien e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit të 20-të”.
Sipas profesoreshës së njohur të historisë, Tamara Eidelman, rrëfimi historik që Kremlini po bën përpjekje të imponojë në shoqëri, përmban elementë kryesorë: përparësinë e shtetit, punët e të cilit janë gjithmonë më të rëndësishme se jeta e qytetarëve, kulti i vetëmohimit dhe i gatishmërisë për të hequr dorë nga jeta për kauzën më të madhe; dhe kulti i luftës.
“Sigurisht, [kjo e fundit] nuk është e shkruar tamam”, thotë Eidelman. Në vend të kësaj, narrativa ruse është: “Ne gjithmonë jemi përpjekur për paqen… jemi sulmuar gjithmonë dhe thjesht kemi luftuar”.
Në 2020-2021, Putin botoi dy artikuj të gjatë mbi historinë – njëri duke kritikuar Perëndimin për veprimet që çuan në Luftën e Dytë Botërore, një tjetër duke argumentuar se ukrainasit dhe rusët kanë qenë gjithmonë një popull. Në një fjalim drejtuar kombit disa ditë përpara se të dërgonte ushtrinë në Ukrainë, ai u thirr edhe një herë në histori, duke pretenduar se Ukraina si shtet ishte krijuar artificialisht nga udhëheqësit sovjetikë.
Historia “është përdorur për të legjitimuar regjimin që nga fillimi i sundimit të Putinit”, thotë Ivan Kurilla, historian në Kolegjin Wellesley. Dhe me luftën në Ukrainë, ajo “më në fund zuri vend qendror në ideologjinë shtetërore pranë bisedave gjeopolitike për sovranitetin, ‘rënien e Perëndimit’ dhe mbrojtjen e vlerave tradicionale”.