Me ftesë të Miroslav Lajçak, pala kosovare dhe ajo serbe udhëtuan drejt Brukselit për takim me emisarin evropian lidhur me çështjen e dinarit. Fillimisht u zhvilluan takime të ndara, e më pas ai trepalësh. Nga Kosova shkuan përfaqësues të Bankës Qendrore me në krye guvernatorin Ahmet Ismaili, ndërsa delegacioni i Beogradit u udhëhoq nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Banka Qendore e Kosovës ka njoftuar se në takimin në Bruksel nuk është vënë në diskutim rregullorja e re e këtij institucioni, por që janë ngritur disa shqetësime për ndikimin që ajo mund të ketë tek qytetarët serb, lidhur me mënyrën e transferimit të parave.
Tutje bëhet e ditur se është vlerësuar si e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësime si dhe për të argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike të transferimit të parave.
“Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel, të kryesuar nga Z. Miroslav Lajčák. Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme. Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet mes tjerash në komunikatën e BQK-së.
Në anën tjetër, emisari evropian Miroslav Lajçak nuk ka komentuar lidhur me rregulloren e re të BQK-së, por që përmes një postimi të bërë në platformën “X”, vlerësoi angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa theksoi se takimet sot ishin një hap i parë i rëndësishëm, por që shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje.
Poashtu ai tha se nevojiten ende takime shtesë për çështjen e dinarit.
“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak në “X”.
I welcome the commitment of the Parties to finding a sustainable solution for the communities affected by the recent CBK regulation. Today’s Dialogue meeting was an important first step, but many political questions remain unanswered. Additional meetings will be needed. pic.twitter.com/yhSXZsw8FP
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) February 27, 2024
Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga ShBA-ja të cilët vazhdimisht kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit, e madje një vendim i tillë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier tha se ka ndikuar në partneritetin me Kosovën.
Në anën tjetër Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se vendimi për rregulloren e re do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj, duke përgatitur edhe një plan 10 pikësh./Reporteri.net/