×
  • Lajme
  • Lajme / I kërkuar nga INTERPOL-i

    U arrestua në Bullgari, kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi pritet të ekstradohet në Itali

    Reporteri
    02 Mars 2024 | 21:05

    Kryeshefi i Ujësjellësit të Gjakovës, Hasan Krasniqi, i cili u arrestua në Bullgari më 19 shkurt me kërkesë të INTERPOL-it, pritet të ekstadohet në Itali.

    Hasani për arrestimin e të cilit, gjatë ditës së djeshme raportoi ekskluzivisht Gazeta Online Reporteri.net, brenda 10 ditëve pritet të ekstradohet në Itali.

    Avokati i tij, Tritan Hamitaj konfimoi se gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca në gjykatore dhe pas tre ditësh autoritetet bullgare do të kontaktojnë me autoritetet italiane për të ekzekutuar ekstradimin e thjeshtuar.

    “Është mbajtur seanca dhe pritet sipas procedurës së shtetit bullgar, duhet pritur një afat tre ditor që pëlqimi i tij që ai ka dhënë që ai të shkoj në Itali me procedurë të shpejtuar, dhe pas tre ditësh autoritetet bullgare do të kontaktojnë me autoritetet italiane për të ekzekutuar ekstradimin e thjeshtuar, që zoti Krasniqi të paraqitet para autoriteteve italiane”, ka thënë Hamitaj për RTK-në.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmoi gjatë ditës së djeshme për gazetën online Reporteri.net, se kryeshefi i KRU “Gjakova” Hasan Krasniqi, është ndaluar më 19 shkurt në Bullgari.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës konfirmon se në mbështetje të informatave zyrtare të pranuara nga Ministria e Jashtme e Republikës së Bullgarisë, shtetasi i Republikës së Kosovës (H.K) është ndaluar më datën 19 shkurt, 2024 në Pikën e kalimit të kontrollit kufitar ‘Gyushevo. Shtetasi i Republikës së Kosovës është ndaluar pasiqë i njëjti supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”, thuhet në konfirmimin e MPJD-së për Reporteri.net.

    Urdhërarresti ndërkombëtar ndaj tij është lëshuar në qytetin e Barit, në Itali, një muaj më parë, përkatësisht më datë 16 janar 2024.

    Kryeshefi i KRU “Gjakova” dyshohet për tri vepra penale “lehtësimi i migrimit ilegal me bashkëpunim”, “përdorimi i dokumenteve false” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat”.

    Në vendimin që e ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Gjykata e Qarkut në Kruystendil ka njoftuar se ndaj Krasniqit ekziston një urdhërarrest evropian i lëshuar nga Italia në janar të këtij viti.

    Sipas gjykatës bullgare, veprat e përshkruara gjithashtu cilësohen krime sipas Kodit Penal të Bullgarisë, për të cilat parashikohet dënimi me “burgim”.

    Dyshimet janë se Krasniqi, që ka në pronësi edhe një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës, dyshohet se përmes saj ka kontrabanduar njerëz me dokumente të falsifikuara. Rrjedhimisht, sipas autoriteteve italiane, 57 vjeçari nga Gjakova është i implikuar në tre vepra të ndryshme penale.

    Arsyetimi i gjykatës bullgare për paraburgosjen e Krasniqit nën dyshimet për trafikim me njerëz

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!