Në Kuçovë të Shqipërisë më 4 mars u përuruar baza ajrore taktike e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO). Për këtë, ka shkruar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përcjell Reporteri.net.
Haradinaj shkroi se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, që është hapur sot, është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit.
“Sa më afër NATO-s, jemi më të lirë e më të sigurtë, por anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë, sigurinë do ta bënte më të plotë”, shkroi Haradinaj.
“E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për qeverinë e Albin Kurtit, e cila po e turpëron Kosovën duke dalur nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”, përfundoi ai.