Përvojën e hidhur në garën për titullin e kampionit në Premier League me Arsenalin, Granit Xhaka po e përdor si frymëzim te skuadra e Bayer Leverkusenit.
Leverkuseni po marshon drejt titullit të kampionit këtë edicion në Bundesligë, por Xhaka tregohet i kujdesshëm. Ai insiston se ende asgjë nuk është fituar dhe se ka ende kohë deri në fund të edicionit.
Aktualisht, Leverkuseni është lider në Bundesligë dhe ka dhjetë pikë më shumë se kampioni në fuqi, Bayern Muncheni që zë vendin e dytë pas 24 xhirove të luajtura. Përkundër kësaj diference në tabelë, Xhaka nuk e merr asgjë si të garantuar. Madje, ai ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij duke u bazuar në përvojën e edicionit të shkuar kur ishte pjesë e Arsenalit. Arsenali i kaloi 248 ditë në krye të tabelës në Angli edicionin e kaluar dhe kishte tetë pikë epërsi ndaj Manchester Cityt por në fund e humbi titullin e kampionit. Xhaka ka thënë se bashkëlojtarët e tij tek Leverkuseni I janë drejtuar atij për këshilla se si duhet trajtuar një garë për titull.
“Jemi në formë të mirë dhe mund të jemi krenarë për këtë, por asnjë nuk është fituar ende. Po flas nga përvoja ime dhe pas asaj që më ndodhi edicionin e shkuar tek Arsenali. Unë këtë ua kam shpjeguar bashkëlojtarëve dhe kam kërkuar që të qëndrojmë me këmbë në tokë, duke vazhduar ndeshje pas ndeshjeve dhe në fund të shohim se ku jemi”, ka thënë Xhaka për mediumet gjermane.
31-vjeçari para fillimit të këtij edicioni iu bashkua Leverkusenit dhe ka 1 gol e 1 asistim ne 32 paraqitje në të gjitha garat.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.