×
  • Lajme
  • Botë / Lufta në Gaza

    Përfaqësuesja e OKB-së: Ka arsye për të besuar se Hamasi përdhunoi gratë izraelite

    Reporteri
    04 Mars 2024 | 21:31

    Një e dërguar e Kombeve të Bashkuara që merret me dhunën seksuale në konflikt, ka deklaruar në një raport se ka “arsye të qëndrueshme” për të besuar se Hamasi ka kryer dhunime, “torturë seksuale” dhe krime të tjera ndaj një gruaje gjatë sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor, shkruan Associated Press.

    Gjithashtu “ka arsye të qëndrueshme që të besojmë se kjo dhunë është duke vazhduar”, ka thënë Pramila Patten, e cila ka vizituar Izraelin dhe Bregun Perëndimor mes 29 janarit dhe 14 shkurtit. Bashkë me të kanë qenë edhe tetë zyrtarë të tjerë, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Në raport, ajo ka thënë se ekipi “ka gjetur informacione të qarta dhe bindëse” se disa pengje kanë qenë cak i dhunës seksuale, përfshirë përdhunimin dhe torturën seksuale”.

    Raporti është shkruar gati pesë muaj pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin u vranë më shumë se 1 mijë e 200 persona dhe 250 të tjerë u morën pengje. Lufta e Izraelit ndaj Hamasit që po vazhdon në Rripin e Gazës, ka lënë të vrarë më shumë se 30 mijë palestinezë.

    Raporti i Pattenit thotë se vizita e ekipit “nuk ishte e qëllimshme ose e mandatuar për natyrë hetuese”.

    Ajo ka thënë se ekipi nuk ka mundur të takohet me viktimat e dhunës seksuale “përkundër përpjekjeve të shumta që të rrëfenin”. Sidoqoftë, ekipi ka mbajtur 33 takime me institucionet izraelite dhe 34 persona, përfshirë të mbijetuar dhe dëshmitarë të sulmit të 7 tetorit.

    Bazuar në informacionet e mbledhura, Patten ka thënë se “ka arsye të qëndrueshme për të besuar se dhuna seksuale ka ndodhur gjatë sulmeve në disa lokacione në periferi të Gazës. Mesin e krimeve seksuale janë përdhunimi dhe përdhunimi në grup, të paktën në tri lokacione”.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!