Rreth orës 00:00 si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një lokal në Gjakovë janë plagosur tre persona të moshës madhore.
Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënsi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
I njëjti ka thënë se gjendja e të plagosurve është stabile dhe po punohet në drejtim të zbardhjes së rastit.
Rasti është iniciuar “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pautorizuar të armëve”.
“Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Elezaj për Reporteri.net.