×
  • Lajme
  • Lajme

    Tërnava: Njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit, ndihmojini ata duke ua ruajtur dinjitetin dhe krenarinë

    Reporteri
    10 Mars 2024 | 11:51

    Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit. Me këtë rast, kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava, iu drejtua besimtarëve islam në Kosovë me një mesazh.

    Ai iu bëri thirrje për unitet dhe solidaritet mes vete.

    Tërnava theksoi se “njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit mbi supet tona”.

    “Mos i privoni ata nga e drejta në pasurinë tonë që zoti na dhuroj. Ndihmoni dhe mbështetni ata duke i ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre”, tha Tërnava në mesazhin drejtuar besimtarëve myslimanë në Kosovë me rastin e muajit të madhërishëm të Ramazanit.

    Urimi i Myftiut Naim ef. Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan:

    Të nderuar vëllezër e motra,
    Të dashur qytetarë!
    Nesër fillon muaji i bekuar Ramazan, muaji i agjërimit, i mirësisë
    dhe i faljes. Çdo vit, të gjithë ne e presim këtë muaj me padurim, ngase
    Zoti na ka nderuar me të. Është muaj në të cilin me të madhe përçohen
    mesazhe urimi e përgëzimi, është muaj i lutjeve dhe adhurimeve, ku
    shtohen dashuria për fenë dhe Zotin, muaj me mirësi dhe begati më të
    shumta seç dikush mund t’i numërojë. Është muaj në të cilin besimtari i
    sinqertë, përmes agjërimit, synon përsosjen e tij morale dhe etike, synon
    ngritjen e nivelit të solidaritetit material në pikat më të larta, muaj që me
    veprat dhe përkushtimin e lartë, synon lehtësimin e rrugës së besimtarit
    për në Xhenet.
    Në çdo Ramazan, ne mbushemi me më shumë shpresë e
    dhembshuri, ngase ky është një muaj i bujarisë dhe mirësisë, një muaj
    madhështor në të cilin përkushtimi dhe devotshmëria shtohen dhe
    besimtarët ndjejnë gëzim edhe më të madh në zemrat dhe shpirtrat e
    tyre, muaj i cili edhe më shumë na bashkon dhe na e forcon unitetin
    ndërmjet nesh.
    Ramazani vjen për t’i rikthyer shpirtrat e uritur në tryezën e
    Mëshirëplotit, për të futur mëshirë dhe devotshmëri në zemra, për të
    forcuar krijesën njeri me durim, qëndresë, vullnet, bujari e vendosmëri,
    për t’i rrënjosur në kraharorët e fëmijëve tanë dashurinë, bindjen dhe
    besimin në Zotin e Madhëruar.
    Muaji i bekuar Ramazan është muaj që Zoti xh.sh. e veçoi nga
    muajt e tjerë të vitit, duke e dalluar atë me virtyte të larta dhe mirësi të
    pakufishme. Në Ramazan, që me të drejtë quhet zotëria i muajve të tjerë,

    2

    përmes melekut Xhibril, tek i Dërguari Muhamed a.s., u zbrit edhe
    shpallja fisnike, siç Zoti xh.sh. e thotë: “Muaji Ramazan është muaji
    në të cilin zbriti Kurani, udhërrëfyes për njerëzit.”
    Në Ramazan, bashkë me Kuranin, zbriti dhe zbret mëshira,
    shumëfishohen shpërblimet e veprave dhe punëve të mira, falen mëkatet
    dhe veprat e liga, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen ato të
    Xhehenemit.
    Ramazani, përveçse është muaj kur shpallja e qiellit ndriçoi
    errësirën e tokës, është gjithashtu edhe një epokë e re në të cilën
    njerëzimi mori mesazhet e fundit nga Zoti, mesazhe këto që
    përfaqësojnë një pikë kthese në rrugën e njerëzimit.
    Është muaj i agjërimit që konsiderohet një nga pesë shtyllat e
    Islamit, pasi besimtarët abstenojnë nga ushqimi dhe pija dhe qëndrojnë
    larg nga gjërat e ndaluara nga agimi deri në perëndim.
    Agjërimi është një adhurim specifik që bëhet vetëm për Zotin
    xh.sh., është një nga veprimet më të mëdha të afërsisë, është praktikë e
    të drejtëve dhe simbol i të devotshmëve, pastron shpirtin dhe përsosë
    karakterin, është shkolla e devotshmërisë dhe vendbanimi i udhëzimit.
    Kushdo që hyn në këtë muaj me qëllim të sinqertë dhe duke e ndjekur
    rrugën e drejtë, do të dalë prej tij me një dëshmi të drejtë dhe do të jetë
    me të shpërblyerit në këtë dhe në botën tjetër.
    Të nderuar vëllezër dhe motra,
    Në këtë natë të madhe dhe në këtë atmosferë hyjnore, ftoj
    besimtarët tanë kudo që janë, që këtij muaji të bekuar t’i përkushtohen
    me bindje, adhurim, sinqeritet dhe solidaritet, duke i ruajtur e kultivuar
    lidhjet familjare dhe duke e shtrirë dorën e ndihmës ndaj të varfërve dhe
    skamnorëve, duke thirrur në forcim të unitetit dhe vëllazërisë dhe duke
    refuzuar të gjitha format e ndasisë dhe përçarjes ndërmjet vete.

    3

    Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh. dhe të Muhamedit a.s., të
    dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve fetare islame në shtetin tonë, e
    mos i kushtoni vëmendje thirrjeve devijuese nga njerëz të
    papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm!
    Të nderuar vëllezër e motra,
    Njerëzit në nevojë janë amaneti i Zotit mbi supet tona, mos i
    privoni ata nga të drejtat e tyre në pasurinë tonë që Zoti na e dhuroi!
    Ndihmoni dhe mbështetni ata duke e ruajtur krenarinë dhe dinjitetin e
    tyre!
    Lutemi që i Plotfuqishmi ta pranojë agjërimin dhe lutjet tona, t’i
    japë kombit, shtetit e fesë sonë, siguri dhe stabilitet! Lutemi që
    konfliktet, luftërat dhe gjakderdhja ndërmjet njerëzve pa dallim race,
    ngjyre, feje apo kombi, të marrin fund!
    Zoti xh.sh. na bekoi dhe na nderoi që e arritëm këtë muaj, andaj,
    lutemi që, o Zot ashtu siç na begatove me Islamin fe, në muajin
    Ramazan, të na dhurosh mëshirën dhe faljen Tënde në të dy botët!

    Prishtinë, Myftiu Naim ef. Tërnava
    10.03.2024

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!