Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë ka dalë me një komunikatë lidhur me plagosjen e tre personave sot në orët e para të mëngjesit në një lokal si pasojë e të shtënave me armë zjarri, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në komunikatë thuhet se gjendja e tyre tani është stabile, por që një nga ta ka lëndime në pjesën e poshtme të shpinls ku dhe ka qenë e nevojshme ndërhyrja kirurgjike.
“Pas orës 00:20 në Emergjencën e Spitali janë lajmëruar tre qytetarët me lëndime me armë zjarri, prej tyre dy kanë lëndime në ekstremitetet e poshtme të trupit, pas trajtimit mjekësorë që kanë marrë në Emergjencë janë hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë, gjendja e tyre është stabile. Ndërsa personi i tretë ka lëndime në regjionin lumbal (pjesën e poshtme të shpinës) ka qenë e nevojshme ndërhyrja kirurgjike, momentalisht është salle të operacionit. Stafi mjekësorë po vazhdon trajtimin dhe kujdesin e duhur profesional”, thuhet në njoftim.
Gazeta Online Reporteri.net sot gjatë ditës raportoi se dy nga të plagosurit janë pronarët e lokalit ku dhe ndodhi ngjarja, ndërsa se i dyshuar lidhur me këtë rast është Shkelzen Mehmeti, i cili ende ndodhet në arrati.
Madje ky i fundit, pak para se të ndodhte rasti, kishte publikuar një fotografi në Facebook ku shihej me një grup personash, e në mesin e tyre edhe zëvendëskomandati i Policisë rajonale të Gjakovës, Ramë Bekaj. Poashtu aty u pa edhe ish-luftëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj.
I dyshuari për plagosjen në Gjakovë, pak para rastit shoqërohej me zëvendëskomandantin e Policisë
Për rastin foli sot për Gazetën Online Reporteri.net edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili ka bërë të ditur se Policia ka marrë informatën rreth orës 00:10.
Tutje ai ka thënë se gjendja e të plagosurve është stabile dhe po punohet në drejtim të zbardhjes së rastit, derisa rasti është iniciuar “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pautorizuar të armëve”.
“Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, tha Elezaj.