Zjarri në fabrikën e plastikës në Parkun e Biznesit në Drenas ende nuk është fikur.
Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci sot gjatë ditës tha se ky zjarr ka shkaktuar katastrofë materiale dhe ekologjike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, për shuarjen e zjarrit.
Lladrovci ka shkruar se zjarri ka përparuar shumë shpejtë për shkak të erërave të forta.
“Kam shprehur keqardhje për pronarët e fabrikës, për dëmet në fabrikë, pajisje, objektet, si dhe materialit riprodhues. Tymi i madh nga djegia e fabrikës ka arritur në vendbanimet e fshatrat e Drenasit, Skenderajt e deri në Mitrovicë, dhe është po ashtu katastrofë ambientale me ç ‘rast qytetarët kanë ankesa për ndotjen dhe dëmet që po ju shkaktohen”, ka shkruar tutje Lladrovci në profilin e tij në Facebook.
Zjarri në Drenas, Lladrovci kërkon ndihmën e KFOR-it: “Me helikopterë me ardhë me gjuajt ujë”
Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se informatën për zjarrin e kanë pranuar rreth orës 11:00.
“Sot rreth orës 11:00, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një fabrikë në fshatin Korroticë e Epërme të Drenasit. Në vendngjarje janë zjarrfiksit dhe policia të cilët po merren me rastin. Për detaje njoftoheni me kohë”, tha Ahmeti për Reporteri.net.