×
  • Lajme
  • Botë / Politika në sport

    Si u bë McGregor figurë e ekstremit të djathtë në Irlandë

    Reporteri
    12 Mars 2024 | 12:23

    “Irlandë, jemi në luftë”, kishte deklaruar ylli i sporteve marciale, Conor McGregor para miliona ndjekësve të tij në rrjetet sociale më 22 nëntor 2023, shkruan CNN.

    Nuk është e qartë saktësisht se çfarë po i referohej McGregor, por ky postim, ishte shikuar më shumë se 19 milionë herë në platformën “X”. Më vonë ishte pasuar nga seria e postimeve për imigrimin. Këto postime qarkulluan edhe në kanalet e Telegramit. Këto kanale kanë lidhje me ekstremin e djathtë.

    Që prej vitit 2022, McGregor ka shprehur përkrahjen për njerëzit që kanë protestuar kundër imigrimit, përcjell gazeta online Reporteri.net

    Një ditë pas postimit për luftë të McGregorit, një person theri me thikë tre fëmijë dhe një të rritur në Dublin. Orë më vonë, kryengritësit me lidhje me të djathtën ekstreme marshuan në qytet.

    Ciaran O’Connor, analist senior për urrejtjen online dhe dezinformimin, ka thënë se e djathta ekstreme në Irlandë është rritur për shkak të platformave të mediave sociale si “X” dhe “Telegram”, të cilat janë përdorur nga ekstremistët.

    “E djathta ekstreme është duke promovuar McGregorin si zë të popullit, duke shfrytëzuar platformat e tij për t’i dhënë hov ideologjisë së tij”, ka thënë O’Connor për CNN-in. Ai beson se postimet e McGregorit “para trazirave ishin thirrje për veprim kundër imigrimit të jashtëligjshëm”.

    Sipas qeverisë irlandeze, rreth 500 persona morën pjesë në trazira. U dogjën shumë automjete të policisë dhe autobusë.

    Trazirat në Dublin. Më shumë se 500 veta kishin djegur automjete të policisë dhe autobusë

    Teksa po zhvilloheshin trazirat në Dublin, McGregor kishte postuar në “X”: “Ju korrni atë që mbillni”.

    Policia nisi hetimet ndaj tij dhe shumë persona e akuzuan për nxitje të urrejtjes online.

    McGregor gjithashtu me anë të rrjeteve sociale paralajmëroi se mund të garonte për postin e presidentit. Serioziteti i tij ende nuk është i qartë, ani pse kishte shkruar më vonë se do të ishte “figurë e re në lojë”.

    “Këto parti qeverisin me veten vs qeverisja e popullit… Unë dëgjoj. Përkrahi. Adaptohem. Nuk kam lidhje/mosmarrëveshje/pëlqyeshmëri ndaj asnjë partie. Ato do të mbahen përgjegjëse për ndjenjat publike… Nuk do të isha unë në pushtet si president, populli i Irlandës. Do të ishim unë dhe ju”, kishte thënë McGregor.

    “Ne irlandezët njihemi për zemrat tona të paqta dhe kemi histori krenare që të mos pranojmë racizmin”, ka thënë 35-vjeçari në një deklaratë për “The Guardian”.

    “Famëkeqi Conor McGregor”

    Ngritja e McGregorit është një prej më të famshmëve në tregimet e famshme në sport.

    Djaloshi i klasës punëtore nga Dublini, McGregor është nxitur nga dëshira që të bëhet kampion bote në sportin relativisht të panjohur në Irlandë.

    Kur nisi të fitonte duelet, oktagoni i MMA-së u bë koloseumi i McGregorit. Argëtoi shikuesit me stilin preciz të boksit dhe shpejtë mori famë.

    Kështu lindi brendi “Famëkeqi” Conor McGregor dhe u bë personi i parë në histori që mbante dy rripa të UFC-së përnjëherë. Në vitin 2021, ai u bë sportisti më i paguar në botë, sipas revistës Forbes.

    Kur ishte në majë të karrierës, McGregor vëmendjen e ktheu duke bërë sparing me njerëzit nëpër rrjetet sociale. Kështu preku nervat e establishmentit politik të Irlandës.

    Analistët politikë dhe ekspertët e ekstremit të djathtë, kanë thënë se brendi unik i McGregorit në patriotizmin irlandez, ka fituar përkrahjen e njerëzve në sport, por edhe në zgjerimin e nacionalizmit irlandez të ekstremit të djathtë.

    “Figurat ekstreme, të cilat promovojnë etnonacionalimin – e Irlandës për irlandezët – festojnë kur McGregor lidhet edhe më shumë me brendin e tyre të nacionalizmit”, ka thënë O’Connor.

    McGregor më parë ka thënë se rregullisht fshin postimet e tij në “X” për arsye personale, por gjithashtu ka shtuar se: “Qëndrimet e mia, shumica publike, qëndrojnë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!