Një ditë para ardhjes në Prishtinë, emisarin amerikan Gabriel Escobar, ka ashpërsuar tonet në raport me Qeverinë e Kosovës për vendimin e BQK’së rreth çështjes së dinarit që amerikani e ka quajtur katastrofal.
Escobar, në një diskutim me gazetarë, online nga Brukseli, ku po merr pjesë edhe gazeta online Reporteri.net, ka numëruar 5 arsye që sipas tij, rregullorja e re e BQK-së është problematike në implementim.
“Po dëgjojmë shumë raportime për vështirësi për qytetarët që varen nga pagesat. Pesë arsye: Shpejtësia e implementimit. Nuk po diskutojmë legjitimitetin e vendimit, por implementimin e vendimit. Qeveria nuk ka ofruar alternativa tjera, dhe këta njerëz varen nga këto pagesa. Nuk ka pasur paralajmërim/parapërgatitje, pra shumë njerëz që janë varur nga këto pagesa janë lënë në udhëkryq”.
“Është vendim katastrofal”, tha Escobar në hyrje të diskutimit. Sipas tij, “Kosovës i duhet ndihma për këtë çështje”.
Escobar ka lënë të kuptohet se me të tilla veprime, Kosova po e pengon dhe anashkalon Dialogun.
“Rruga për BE dhe NATO shkon kah pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën. Këto shtete dëshirojnë të shohin lëvizje. Pra duke injoruar dialogun, Kosova është duke injoruar rrugën përpara. Jam i shqetësuar që Kosova nuk është duke e dëgjuar SHBA-në për rrugën përpara”, tha emisari amerikan.